E Shtunë, 31 Tetor 2026

“I need a job”, kurse falas për gjuhët e huaja në Veri

Autori i Lajmit: red.
Të rinjtë e papunë dhe pa arsim të lartë në veri të vendit do të mësojnë gjuhë të huaja falas. Puka, Kukësi dhë Tropoja do të jenë tre rrethet e para që do të përfitojnë nga projekti i praktikave profesionale. Ministria e Punës dhe e Arsimit kanë nënshkruar një marrëveshje me qeverinë zviceriane e cila do të akordojë një ndihmë financiare prej 3 milionë euro për fazën e parë të këtij projekti. Ky i fundit synon t u jap një profesion të rinjve të papunë nga mosha 18 deri në 35 vjeç. Aktualisht është krijuar qendra e lëvizshme të formimit profesional për zonën verilindore, me mbështetjen e Projektit “AlbVET” dhe ka filluar ofrimin e kurseve te gjuhëve të huaja dhe kompjuterit në qytetet e Pukës, Kukësit dhe Tropojës. Së shpejti, do të instalohen edhe paisjet e kurseve të para të profesioneve si rrobaqepesi, parukeri, elektricist, etj. duke synuar trainimin e të rinjve dhe personave punëkërkues të papunë të regjistruar në zyrat e punësimit si duke u krijuar atyre mundësinë për t u integruar dhe riintegruar në tregun e punës. Qeveria e Konfederatës Zviceriane dhe Këshilli i Ministrave të Republikës së Shqipërisë nëshkruan dje marrëveshjen Programi Mbështetës të Arsimit dhe Formimit Profesional Shqiptar (AlbAFP). Marrëveshja u nënshkrua për Qeverinë shqiptare nga Ministri i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Kosta Barka dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Genc Pollo, dhe për palën zvicerane nga Ambasadorja Mrs. Yvana Enzler. Ministri Barka tha se kjo marrëveshje çon para zhvillimin e një bashkëpunimi të frutshëm teknik, i cili do kontribuojë në përmirësimin e zhvillimit social dhe arsimor dhe për reformat në sektorin e drejtësisë sociale në Shqipëri. “Falë këtij bashkëpunimi sot është ngritur dhe funksionon qendra e Formimit Profesional të lëvizshëm për zonën verilindore, që ofron formim profesional për të papunët e gjashtë rretheve,“ theksoi më tej Barka. Ndërsa ministri Pollo tha se përveç përqendrimit të shërbimeve aty ku është dhe numri më i madh i nxënësve, kjo marrëveshje do të na mundësoje ne, MASH-it dhe Ministrisë së Punëve Sociale, që të zhvillojmë arsimin e formimin profesional edhe në krahina më të largëta dhe më të varfra, ku kjo mungesë e fuqisë punëtore të kualifikuar ndihet. Ambasadorja Enzer vuri në dukje se Qeveria zviceriane do të vazhdojë të mbështesë politikat e Qeverisë shqiptare në fushat prioritare të saj, një prej të cilave, pa dyshim, është edhe zhvillimi i arsimit dhe formimit profesional në vend me qëllim që ato t i përshtaten kërkesave të tregut të punës.
Qeveria zviceriane, me anë të kësaj marrëveshje bie dakort për të akorduar një grant/ndihmë financiare deri në 4.435.000 CHF (rreth 3 milionë euro) për programin gjatë kohës së implementimit të fazës së parë (1) nga 1 Janari 2007 deri në 31 Dhjetor 2008.

Projekti “AlbVET” do të mbështesë reformën e nisur në fushën e arsimit dhe formimit profesional dhe është propozuar që komponentë të këtij projekti të jenë:
1.Mbështetja e ofruesve lokalë të shkollave profesionale dhe qendrave publike të formimit profesional;
2.Rinovimi dhe përmirësimi i ambjenteve të shkollave profesionale dhe qendrave të formimit profesional publik;
3.Mbështetje për bazën materiale;
4.Financimi i qendrës së lëvizshme të formimit profesional për zonën verilindore,etj.
Ky lajm është publikuar: 24/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›