E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kartat e identitetit, shkon në 850 mijë numri i aplikantëve



Për katër muaj 850 mijë shqiptarë kanë aplikuar për letërnjoftimet elektronike në vend. Ndërkohë që deri tani janë prodhuar dhe dorëzuar 650 mijë karta identiteti për qytetarët. Ministria e Brendshme ka përgënjeshtruar deklaratat spekulative të Partisë Socialiste në lidhje me procesin e pajisjes së shtetasve me letërnjoftime elektronike.

Zëdhënësi për shtyp, Fatmir Konja, deklaroi se procesi po ecën normalisht dhe ai është i shtrirë në të gjithë territorin e vendit.

Për më tepër që për të ndihmuar edhe më shumë në pajisjen e qytetarëve të ndryshëm është shtuar edhe numri i qendrave të aplikimit.

“Ministria e Brendshme sqaron edhe një herë opinionin publik se procesi është i shtrirë në të gjithë territorin e vendit dhe se pas kërkesës së autoriteteve zyrtare shqiptare, koncesionari ka shtuar kapacitetet e aplikimit përtej atyre të parashikuara në kontratën e lidhur për këtë proces. Janë mbi 50 stacione aplikimi të hapura më shumë se parashikimi”, - u shpreh Konja. Sipas tij, kjo është hera e parë që “realizohet një proces i cili u ofron shërbimin qytetarëve 7 ditë të javës dhe duke punuar me orare të zgjatura gjatë ditës së punës”.

Gjithashtu, çdo ditë aplikojnë për letërnjoftimet elektronike rreth 20 mijë shtetas shqiptarë. “Kapacitetet e aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve elektronike janë në kuotat maksimale, respektivisht 22 mijë dhe 20 mijë në ditë”, - vazhdoi zëdhënësi i Ministrisë së Brendshme, i cili theksoi se “për shkak të këtij intensiteti deri më tani kanë aplikuar më shumë se 850 mijë qytetarë dhe janë prodhuar mbi 650 mijë letërnjoftime elektronike”.

Vendimi më i fundit i qeverisë për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë, duke e ulur çmimin e aplikimit deri në dy mijë lekë, ka ndikuar pozitivisht.

“Janë 15 mijë qytetarë shqiptarë të cilët kanë tërhequr kuponët me 200 lekë pranë zyrave të shërbimit postar në të gjithë vendin”, - u shpreh Konja.

Reagimi

Ministria e Brendshme në mënyrë të vazhdueshme u ka paraqitur përfaqësuesve të opozitës në komisionin e posaçëm parlamentar informacione të detajuara për ecurinë e procesit, përfshirë listat emërore të të gjithë qytetarëve pa pasaportë që kanë aplikuar deri më tani. Zëdhënësi për shtyp i quajti deklaratat nga Partia Socialiste në lidhje me këtë proces si spekulative dhe dezinformuese dhe sqaroi opinionin publik se të gjithë qytetarët që do të paraqiten për të aplikuar për letërnjoftime elektronike, kanë të garantuara të gjitha kapacitetet dhe lehtësitë e krijuara nga qeveria shqiptare për t’u pajisur me letërnjoftim elektronik.

“Procesi i pajisjes së qytetarëve shqiptarë me letërnjoftime elektronike është një nga proceset më të suksesshme të kësaj qeverie, i cili do të realizohet brenda të gjitha afateve të parashikuara”, - përfundoi Konja.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›