E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e bllokuar në Trieste mbërrijnë në Shqipëri



Grupi prej 160 studentësh të bllokuar në portin e Triestes janë rikthyer ditën e djeshme në Shqipëri. Trageti qëndroi prej tri ditësh i bllokuar në brigjet italiane. Studentët ishin nisur për ekskursion në Slloveni, por për shkak të parregullsive me dokumentacionin, ata nuk u lejuan të vazhdonin udhëtimin turistik nga autoritetet italiane. Studentët shqiptarë u bllokuan që prej së enjtes në brigjet italiane, pasi ambasada hungareze ka pezulluar vizat e dhëna një ditë pas nisjes së tyre. Grupi prej 160 studentësh ka udhëtuar nga Durrësi drejt Italisë dhe ndodheshin në tragetin “Venezia”. Ata do të shkonin në një ekskursion në Slloveni, duke kaluar nga Italia, Spanja dhe ndaj aplikuan për t’u pajisur me viza në ambasadën hungareze në Tiranë. Kërkesa e tyre është pranuar nga punonjësit e ambasadës dhe ata kanë prerë biletat e tragetit dhe janë nisur për në portin e Triestes. Por, kur ata kanë mbërritur dhe kanë dorëzuar dokumentet për të zbritur, punonjësit e doganës nuk i kanë lejuar, duke i cilësuar vizat e paraqitura si jo të rregullta. Shkak për këtë duket se ka qenë vendimi i përfaqësisë hungareze për të anuluar vizat e dhëna, pikërisht gjatë kohës që trageti ishte në lundrim drejt Triestes. Vizat ishin dhënë për një udhëtim turistik 7-ditor. Me gjithë këmbënguljen e studentëve dhe personave të tjerë që i shoqëronin, për të zbritur në tokë dhe për të vazhduar udhëtimin, ato nuk janë marrë parasysh nga autoritetet italiane. Edhe pse ata u përpoqën që t’i shpjegonin se gjithçka ishte bërë sipas procedurave, përgjigjja e punonjësve të portit ishte se vizat ishin të pavlefshme, pasi ato ishin pezulluar. Për grupin e studentëve kjo ka qenë absurde, pasi ishte pikërisht ambasada hungareze që kishte pranuar kërkesën e tyre dhe pse një veprim i tillë ishte kryer kur ata ishin në mes të rrugës. Por, kërkesat e tyre nuk u morën parasysh dhe ata ditën e djeshme u detyruan që të ktheheshin sërish në Shqipëri, pas bllokimit treditor në traget afër portit të Triestes.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›