Vranë kambistin për ta grabitur, arrestohen nga policia pas 24 orësh
Policia e Durrësit ka vënë në pranga tre autorët e vrasjes së kambistit 44-vjeçar Agush Hyzoti mbrëmjen e së shtunës në Durrës. Në prangat e uniformave blu ranë Luis Vangjeli nga Durrësi dhe dy vëllezërit Kevin Ranxha dhe Marvin Ranxha nga Elbasani. Sipas burimeve nga policia, autorët kanë qëlluar me kallashnikov dhjetë herë Hyzotin me qëllim grabitjen e rreth 35 milionë lekëve. Ata kishin ruajtur 44-vjeçarin gjatë gjithë ditës dhe ndërsa ai po ngjitej për të shkuar në shtëpi, kanë kryer edhe krimin. Më pas ata janë larguar, por pas hetimeve të kryera nga policia, është arritur që të zbardhet ngjarja dhe të vihen në pranga autorët. Të tre të arrestuarit janë shoqëruar në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës për marrjen e masës së arrestit.
Arrestimi
Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe nisjes së hetimeve, punonjësit e policisë kanë arritur që të identifikojnë autorët e krimit. Dy prej tyre janë nga Elbasani, Kevin dhe Marvin Ranxha, ndërsa Luis Vangjeli është nga Durrësi. Menjëherë policia nisi nga puna për arrestimin e tyre. Në bashkëpunim me uniformat blu në Elbasan, dje në orët e pra të mëngjesit të ditës së djeshme ata vunë në pranga vëllezërit Kevin Ranxha 32 vjeç dhe 25-vjeçarin Marvin Ranxha. Ata u vunë në pranga në banesën e tyre në Elbasan. Ndërkohë që agjentët u mobilizuan edhe për arrestimin e 27-vjeçarit nga Durrësi, Luis Vangjeli. Ai u kap në banesën e vjehrrit të tij në Shkozet të Durrësit.
Nga hetimet e kryera rezulton se të tre të arrestuarit kanë vrarë 44-vjeçarin me qëllim grabitjen e sasisë të 20 mijë eurove dhe 10 milionë lekëve.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan arma me të cilën është kryer krimi, 2 gëzhoja, një motoçikletë, një automjet tip “Ford”, si dhe një paruke. Tre të arrestuarit akuzohen për kryerjen e veprës penale të “vjedhjes me pasojë vdekjen” kryer në bashkëpunim dhe “mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Vrasja
Rreth orës 15:30 të ditës së shtunë kambisti Agush Hyzoti ka qenë duke u kthyer për në banesën e tij. Ndërsa ai po ngjitej në shkallët e pallatit, aty ka qenë duke e pritur Kevin Ranxha. Ai e ka qëlluar nga afër atë me breshëri automatiku, duke i shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Ndërkohë që më pas ka marrë shumën e parave prej rreth 35 milionë lekësh dhe është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Autorët e kanë menduar mirë mënyrën se si do të kryenin krimin. Ata kanë mbikëqyrur të gjitha lëvizjet e viktimës dhe më pas e kanë qëlluar atë 10 herë me kallashnikov, kur ai ishte afër banesës. Ndërkohë, 25-vjeçari Marvin Ranxha ndodhej në afërsi të pallatit për të siguruar veprimet e dy të tjerëve, ndërsa shtetasi Luis Vangjeli po e priste me motor të ndezur në hyrje të pallatit. Ata janë larguar me shpejtësi nëpër rrugica, ndërkohë motori është braktisur prej tyre jo shumë larg vendngjarjes.