I ngjashmi i pangjashëm
Max FRISCH
Në Andora jetonte një burrë i ri, të cilin e mbanin për çifut.
Ish për t’u rrëfyer historia e hamenduar e prejardhjes së tij, lidhjet e përditshme me andorasit që shihnin tek ai çifutin: atë portret të gatshëm, që ai e gjente gjithkund. Për shembull, mosbesimi ndaj shpirtit të tij që, siç e dinë andorasit, një çifut nuk mund ta ketë.
E qortonin për mprehtësinë e mendjes, çka ish i detyruar ta kishte. Ose për marrëdhëniet me paranë, që në Andora kishin një rol të madh: ai e dinte, e ndiente ç’mendonin të gjithë, pa thënë asnjë fjalë, vriste mendjen nëse ishte vërtet ashtu, që ai mendonte gjithnjë për parà, rrekej gjersa zbulonte se kjo qe e vërtetë, ashtu ishte, me të vërtetë ai mendonte gjithnjë për parà. E pranoi këtë gjë, i ndenji besnik dhe andorasit shkëmbenin vështrime pa bërë zë, thuajse pa luajtur as cepat e buzëve.
Po edhe për çështjet e atdheut dinin mjaft mirë se ç’mendonte, sapo ngiste fjalën, ata ia linin në gojë, të varur si një monedhë që ka rënë në zgjyrë, sepse atdheun, dhe këtë andorasit e dinin, çifuti e zgjedh, e blen, por jo një atdhe si yni, të trashëguar dhe, ndonëse ai e mendonte këtë, kur binte fjala për interesat andorase, e hidhte ndonjë llaf ashtu butë-butë, si në pambuk. Më vonë e kapi se i mungonte, me ç’duket, takti, por këtë ia thanë troç kur e lëshoi krejt zemrën për sjelljen e tyre dhe e kaploi emocioni. Atdheu nuk ishte i tij, njëherë e përgjithmonë e që ta donte atë nuk pritej, në të kundërtën, përpjekjet ngulmuese dhe fjalët e fryra hapnin një hulli dyshimi, ai përçapej të fitonte ndonjë nder, ndonjë të mirë, ndonjë përfitim që e gjente si mjet për të arritur qëllimin, edhe atëherë kur nuk dallonte asnjë qëllim të mundshëm.
Nga ana tjetër, me mendjemprehtësinë e vet të paepur që shkoqiste gjithçka, një ditë zbuloi se, në të vërtetë, nuk e donte atdheun dhe vetë kjo fjalë, sa herë që e përdorte, tash s’e turpëronte më. Me ç’dukej, ata kishin të drejtë, ai s’mund të dashuronte siç e kuptojnë këtë andorasit; ai kish zellin e pasionit e, me siguri, edhe ftohtësinë e arsyes dhe këtë e ndiente si një armë përherë të gatshme, të fshehtë të etjes për hakmarrje; i mungonte shpirti, ai që e lidhte; i mungonte, dhe kjo ishte e qartë, ngrohtësia e besimit.
Takimi me të ishte nxitës, por i pakëndshëm, ngacmues. S’arriti kurrë të qe si gjithë të tjerët, edhe kur më pas, jo për të rënë në sy, u orvat më kot të merrte një qëndrim tjetër, madje me njëfarë ngushëllimi, krenarie dhe armiqësie, të cilat, meqë vetë ishte i trazuar, i mbuloi me një shpresë të vrullshme; edhe kur përkulej përbënte qortim, a thua se vetë mjedisi e kish fajin që ai qe çifut.
Shumica e andorasve s’i bënin keq, por as mirë s’i bënin kurrsesi.
Mirëpo kishte edhe andoras me shpirt të lirë e të përparuar, siç e kuptonin ata, një shpirt në shërbim të njerëzve dhe, siç e theksonin, çifuti u binte haptazi në sy në sajë të tipareve prej çifuti, mprehtësisë, arsyes e të tjera si këto. Dhe i mbetën besnik këtij qëndrimi gjer në vdekjen e tij, që ishte e tmerrshme, aq e tmerrshme dhe e pështirë, sa çdo andoras u lebetit që s’e kish kuptuar llahtarinë e gjithë jetës. Por kjo s’do të thotë se ata e qanë përnjëmend apo, thënë më shkoqur, nuk i dogji malli për të, ata i tërbonte fakti që ai kishte vdekur dhe mënyra si kishte vdekur, e sidomos mënyra.
U fol gjatë për këtë, gjersa një ditë u mësua çka s’kishte mundur ta dinte vetë i ndjeri: se ka qenë një fëmijë gazmor, me prindër që, siç u mor vesh më vonë, ishin andoras, si puna jonë.
Për këtë nuk u fol më asnjëherë.
Dhe andorasit, sa herë shiheshin në pasqyrë, këqyrnin me tmerr se ata vetë, çdonjëri prej tyre, kishte tiparet e çifutit.
Nuk duhet të bësh portret, thotë Zoti. Kjo duhet të vlejë në këtë kuptim: Zoti është i gjallë dhe i pakapshëm te çdokush. Është mëkat që bëjmë ne, që bëj unë e që, pothuaj pareshtur, përsëritet.
Përktheu Brikena Kadzadei
21 Prill 2008