Rastet kur mjekëve specialistë u shtyhet pensioni
Emanuela Sako
Tiranë - Një pjesë e madhe e mjekëve specialistë vazhdojnë të punojnë në qendrat spitalore, edhe pse kanë mbushur moshën e pensionit. Kjo kategori mjekësh punon me orare të kufizuara për shkak të nevojave që kanë spitalet në një shërbim të caktuar. Kështu, specialistë të Ministrisë së Shëndetësisë shpjegojnë se mjekët pensionistë nën moshën 65 vjeç mund të aktivizohen në klinikat e QSUT-së, apo klinikat e tjera të vendit, deri në 10 orë punë në javë. Përsa i përket pagesës, ajo vendoset nga fondi i pagave, e cila mund të përballohet nga buxheti i QSUT-së. Të gjitha kriteret dhe procedurat për përzgjedhjen e këtyre mjekëve përcaktohen nga ministri i Shëndetësisë. Ministria e Shëndetësisë nxjerr udhëzimin përkatës për zbatimin e këtij vendimi. Numri i mjekëve që lejohen të punojnë në këtë mënyrë është i madh, sidomos në zonat e thella të vendit. Këto të fundit janë pothuajse të pambuluara me mjekë specialistë dhe për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë ka lejuar që mjekët e moshuar të vazhdojnë të punojnë me një kuotë të caktuar, përveç pensionit. Arsyet që këta mjekë lejohen të punojnë në shëndetësi edhe pse kanë mbushur moshën e pensionit, bëhet për shkak të nevojave që kanë spitalet për mjek specialistë. Spitalet mund të kenë mungesa të mjekëve specialistë në një shërbim të caktuar dhe deri në momentin e zëvendësimit me një mjek tjetër, do të qëndrojnë në punë, deri në një urdhër të ri. Po kështu, mjekëve u shtyhet pensioni në rastet kur volumi i punës është shumë i madh dhe nuk mund të përballohet nga numri i mjekëve që janë dispozicion. Një arsye tjetër që kjo kategori mjekësh është e detyruar të qëndrojë në punë, ndodh për shkak të nevojës që kanë mjekët e rinj për transmetimin e përvojës mjekësore nga mjekët e vjetër tek brezi i ri. Specialistët të Ministrisë së Shëndetësisë sqarojnë se për përzgjedhjen e këtyre mjekëve ka disa kritere bazë, të cilat nuk mund të tejkalohen, pasi në dorën e tyre varet jeta e shumë pacientëve. Një ndër kriteret kryesore që një mjek duhet të përmbushë për të qëndruar në punë është gjendja shëndetësore dhe aftësitë fizike dhe psikologjike për të ushtruar ende profesionin e tyre. Ndërsa Drejtoria e Spitalit ka të drejtë të propozojë vendet që kanë nevojë për mjekë specialistë dhe të përcaktojë nëse një mjek është në gjendje të ushtrojë profesionin ose jo. Propozimi i drejtorisë i bëhet i ditur Ministrisë së Shëndetësisë, e cila jep aprovimin për lejimin e një specialisti në shërbim të pacientëve.
21 Prill 2008