Bursat e huaja që ofrohen për gjimnazistët nga Kolegjet e Botës së Bashkuar
Jonida Tashi
Tiranë - Gjimnazistët e viteve të dyta dhe të treta në vend do të testohen për të përfituar bursë studimi nga Kolegjet e Botës së Bashkuar. Në fillim të muajit maj, në mjediset e Institutit të Kurrikulës dhe Trajnimit në Tiranë, do të zhvillohet testimi i nxënësve të viteve të dyta të shkollave të mesme, për të përzgjedhur fituesit për gjashtë bursat e ofruara nga Kolegjet e Botës së Bashkuar për studime për në kolegjet: Itali, Uells, Norvegji, Kanada, Hong Kong dhe Bosnjë-Hercegovinë. Ministria e Arsimit sqaron se bursa e studimit e ofruar për herë të dytë për nxënësit shqiptarë nga Kolegji i Botës së Bashkuar të Mostarit (B&H), është bursë e pjesshme kundrejt një tarife prej 5000 euro për dy vite, që rezulton me një ulje tarife deri në 50 për qind në krahasim me vitin e kaluar.
Aplikimi
Ministria e Arsimit bën të ditur se për një informacion më të hollësishëm për mënyrën e aplikimit dhe detaje të tjera, të gjithë kandidatët e interesuar për këto bursa duhet t’i drejtohen Drejtorive Arsimore Rajonale dhe Zyrave Arsimore, të cilat do të menaxhojnë edhe fazën e parë të përzgjedhjes së kandidatëve që do të fitojnë të drejtën për t’u intervistuar në konkurrimin që do të organizohet nga MASH-i në shkallë kombëtare. Dokumentacioni i plotësuar i aplikantëve duhet të dërgohet zyrtarisht pranë sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në MASH deri në datën 20 prill 2008 dhe të shoqërohet me shkresën përkatëse nga Drejtoria Arsimore Rajonale, ose Zyra Arsimore me miratimin e emrave të kandidatëve. Gjithashtu, për sqarime të mëtejshme të interesuarit mund të kontaktojnë në MASH dhe me këtë adresë e_mail: balili@mash.gov.al.
Dokumentacioni
Të interesuarit që duan të vazhdojnë studimet në këto gjashtë vende të huaja duhet të dorëzojnë disa dokumente në Ministrinë e Arsimit. Këto dokumente janë të nevojshëm për të aplikuar për përfitimin e këtyre bursave. Janë vetëm pesë dokumente që duhen dorëzuar brenda afatit të përcaktuar, në të kundërt humbet e drejta për tu testuar. Në bazë të dokumenteve të paraqitura do të bëhet edhe testimi, pas të cilit do të shpallen edhe gjimnazistët që do të përfitojnë këto bursa.
Dokumentacioni për secilin aplikant duhet të përmbajë:
1. Vërtetimin e lëshuar nga Drejtoria Arsimore Rajonale, ose Zyra Arsimore për pjesëmarrje në këtë testim.
2. Vërtetimin e notave të vitit të parë dhe të semestrit të parë të vitit të dytë të firmosur përkatësisht nga Drejtoria Arsimore Rajonale dhe Zyra Arsimore. Mesatarja e notave duhet të jetë mbi 9.5.
3. Certifikatën e lindjes me fotografi.
4. Formularët e aplikimit.
5. Diploma/certifikata të marra për aktivitete të ndryshme.
21 Prill 2008