E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takime në det

(Humor)

Stefano BENNI

Ndoshta njëri nga shkrimtarët më të shquar e më argëtues italianë të gjallë, autori lindi në Bologna në vitin 1947. Fillimisht ka punuar si gazetar, më pas ka shkruar e vazhdon të shkruajë romane, vëllime me tregime e poezi. Romanet e tij përmbajnë, nëpërmjet krijimit të mënyrave dhe situatave imagjinare, një satirë të fortë ndaj shoqërisë italiane të dekadave të fundit. Karakteristikë e stilit të tij është përdorimi i gjerë i lojërave të fjalëve, neologjizmave e parodive.
I konsideruar si një intelektual poliedrik, është regjisor dhe skenarist i filmit Musica per vecchi animali (film i bazuar në romanin e tij Comici spaventati guerrieri) dhe skenarist i filmit Topo Galileo. Ai ka shkruar edhe shume pjesë për teatrin. Ky tekst është botuar për herë të parë më 1997 në gazetën Il Manifesto.

Takimi i parë

- Jemi koracata “Indomito”, e armatosur me gjashtëdhjetë topa Breda-Previti dhe përfaqësojmë Marinën Italiane. Po ju, kush jeni?
- Jemi peshkarexha “Enver”, që transporton një duzinë marinarësh shqiptarë për të peshkuar troftë në Adriatik.
- S’ju besojmë! Jeni të paktën gjashtëqind vetë, gjysma prej të cilëve sigurisht mafiozë dhe troftë ka vetëm në detin Tirren. Prandaj keni një minutë kohë për të ndërruar drejtim dhe për t’u kthyer në atdhe!
- Protestojmë! Do t’i drejtohemi “Stranamore-s”.
- Qetësi! Keni tridhjetë sekonda kohë për t’u kthyer mbrapsht!
- Refugjatë mund të jemi, por s’jemi budallenj. Po kthehemi mbrapsht.

Takimi i pestë

- Jemi korracata “Indomito”, e pajisur me gjashtëdhjetë topa Previti-Breda dhe përfaqësojmë Marinën Italiane.
- Ju, kush jeni?
- Jemi një barkë me algjerianë.
- Atëherë më mirë për ju mos të ktheheni në atdhe; sidoqoftë do t’jua presin grykën dhe askush s’ka për ta çarë kokën. Doni t’ju fundosim me topa apo t’ju çajmë me bashin e anijes?
- Njëlloj për ne, por më parë a mund ta pimë cigaren e fundit?
-Sigurisht, dëshira e fundit plotësohet gjithmonë... Hë pra, ç’prisni?
-Të na jepni cigaret, ta marrë dreqi!

Takimi i gjashtë

-Jemi gomonia patrullë “Eridano”, Adriatiku është yni sepse furnizohet nga ujërat e Monvizos, jemi të armatosur me kopaçe. Ju, kush jeni?
- Jemi peshkatarë siçilianë toni.
- Për atë Zot! Zgjidhni qentë! Zjarr!

Takimi i shtatë

- Jemi kryqëzori “San Marco”, jemi të paarmatosur, sepse e shitëm artilerinë për të hyrë në Europë dhe unë jam Kryeministri Prodi. Ju kush jeni?
- Jemi moto-barka turistike “Passatore”. Kemi në bord gjashtëqind turistë gjermanë dhe kemi ardhur të hamë gaforre, për të cilat jemi gati të paguajmë njëqindmijë lireta për copë.
- Ju jeni mysafirë të vyer për ekonominë tonë! Banda e nderit mbi urë, edhe pse i kemi shitur instrumentet.
- Faleminderit zoti Kryeministër, dëshironi një gotë “Albana”?
- Jo, faleminderit, edhe kështu jam boll konfuz.

Takimi i tetë

- Jemi korracata “Indomito”, e armatosur me gjashtëdhjetë topa Previti-Breda dhe përfaqësojmë Marinën Italiane. Po ju kush jeni?
- Jemi nëndetësja bërthamore amerikane “Warrior” me bazë në Maddalena dhe, po s’u shporrët që këtej, do t’ju zhdukim nga faqja e dheut.
- Ju kërkojmë ndjesë. Po ndryshojmë menjëherë kurs.
- Tepër vonë. Për fat të keq komandanti ynë u nervozua dhe gabimisht dha urdhër për lëshimin e një siluri.
- Kjo është padrejtësi! Do ta paguani shtrenjtë, e gjithë bota ka për ta marrë vesh!
- Sigurisht, si për ngjarjen e Ustikës. Banjë të këndshme, djema...

Takimi i dhjetë

- Jemi barka e rojës bregdetare “Etruria”, me shërbim të reduktuar për shkak të motit të keq. Po ju kush jeni?
- Jemi një barkë me gjashtëdhjetë shqiptarë dhe duam të hyjmë në një port italian.
- Vazhdoni…..
- Me të vërtetë ?
- Hyni, hyni. Tragetet janë në grevë, nuk ka as autobusë, trenat kanë ndaluar, trafiku aeroportual është paralizuar dhe fluturimi i vetëm që bëhet është ai Bergamo- Bankok. Po zbarkuat, do të mbeteni të bllokuar në mol për një muaj.
- Atëherë na këshilloni të kthehemi mbrapsht?
- Puna juaj. Qysh prej tri minutash, jemi në grevë edhe ne. Drejtojuni delfinëve!

Takimi i njëmbëdhjetë

- Jemi roja bregdetare shqiptare. Po ju, kush jeni?
- Jemi kryqëzori “Cortez”, që transporton kontingjentin italian të paqes në vendin tuaj.
- Mirëseerdhët, vëllezër italianë!
- Mirëseerdhët një m….! Na morët më qafë. Na futët në krizë qeverinë, ndezët lakminë e opozitës, fundosët liretën, na treguat se sa racistë jemi dhe sa e mjerë është politika jonë, ia ngritët Bertinotti-t qimet përpjetë, tërbuat D’Alema-n, nxitët dërdëllitjet e Fassino-s dhe bëtë të qante Berluskoni-n. Do të na e paguani! S’do lëmë fshat pa rrafshuar!
- Po ndoshta do të kishte mjaftuar thjesht të na pranonit dhe kaq, si çdo vend i civilizuar…
- Civilizimi nuk ka vlerë në bursë. Prandaj përgatituni për më të keqen. Do t’ju bombardojmë antenat satelitore.
- Jo! Mos televizorët!
- Të gjithë topat, zjarr! Provokatorë! Disfatistë! Mafiozë!

Takimi i dymbëdhjetë

- Jemi barka patrullë “Padania”. Adriatiku është yni, sepse furnizohet me ujë nga lumi Po dhe jemi të armatosur me ngjala të ngrira. Po ju kush jeni?
- Jemi trageti Copenhagen-Malmoe që transporton qytetarë skandinavë, keni ngatërruar drejtim dhe keni shkuar shumë në veri, prandaj kthehuni në shtëpi, terronë!

Përktheu Alban Bobrati

21 Prill 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›