Unë jam ai që akuzohet?
Ne që kemi njohur versionin totalitar komunist të botës moderne, e dimë se këto dy qëndrime, në dukje artificiale, letrareske, të tepruara, janë plotësisht të vërteta; jetuam në një hapësirë të kufizuar, nga një anë të jemi K. dhe në anën tjetër të jemi Shvejk; kjo do të thotë se, në një skaj, është identifikimi me pushtetin deri në solidarizimin e viktimës me xhelatin e vet dhe, në anën tjetër, mospranimi i pushtetit duke mos e marrë asgjë seriozisht; kjo do të thotë: në mes të absolutizmit të seriozitetit të K.-së dhe absolutizmit të mosseriozitetit të Shvejkut.
Kaq shumë është shkruar për Franc Kafkën, sa librat për të ia kalojnë shumëfish librave të autorit. Jo vetëm studiues nga kombi i tij, por nga të gjitha anët e botës kanë vëzhguar më ngulm veprën e shkrimtarit, madje dhe jetën e tij, për të gjetur lidhjet që mendohet se ekzistojnë mes tyre.
Pa dyshim, Kafka ka qenë dhe mbetet një kureshtje e pashuar edhe për kolegët e tij, shkrimtarët. Ja si janë shprehur disa nga korifejtë e letërsisë botërore.
Milan KUNDERA: Sipas Kafka-ës, bota është univers i burokratizuar. Zyra nuk është dukuri shoqërore në mes të dukurive të tjera, por thelb i botës. Këtu qëndron ngjashmëria (ngjashmëri e çuditshme e befasuese) në mes të hermetikut Kafka dhe popullorit Hashek. Ky i fundit nuk e përshkroi ushtrinë (si realist e kritik shoqëror) si pjesë e shoqërisë austro-hungareze, por si variant modern i botës.
Ashtu si drejtësia e Kafkës, ushtria e Hashekut nuk është tjetër veçse një institucion i pafund, një ushtri-administratë, ku virtytet e vjetra ushtarake (trimëria, dinakëria, shkathtësia) tani nuk kanë më asnjë vlerë. Burokratët ushtarakë të Hashekut janë të paditur; logjika pedante dhe absurde e burokratëve të Kafkës nuk ka asnjë grimë mençurie, te Kafka padituria, e mbështjellë me një tis misteri, kërkon të duket si një parabolë metafizike... Në veprimet e tij, me fjalët e tij të pakuptueshme, Jozef K. përpiqet me të gjitha mënyrat të nxjerrë një kuptim, pasi nëse është e tmerrshme të dënohesh me vdekje, është plotësisht e padurueshme të jesh i dënuar pa shkak si një martir pa kuptim.
Më vonë K. e pranoi fajësinë e tij dhe kërkoi ta dënonin. Në kreun e fundit mbron xhelatët e tij dhe policët e bashkisë (të cilët mund ta shpëtonin) dhe, pak para vdekjes, qorton veten që nuk gjeti forcën të varej dhe t’ua kursente atyre atë punë të ndyrë. Shvejku qëndron në anën e kundërt të K.-së. Ai e shkërben botën që e rrethon (botën e diturisë) në mënyrë aq të përsosur, saqë askush nuk mund ta kuptojë nëse është apo nuk është idiot. Nëse i përshtatet lehtësisht (dhe me kënaqësi) rendit ekzistues, këtë nuk e bën se ndien që ai ka ndonjë kuptim, por sepse nuk gjen zgjidhje tjetër. Tallet, tallet me të tjerët dhe, duke e fryrë komformizmin e tij, e shndërron botën në një shaka të vetme përrallore.
Ne që kemi njohur versionin totalitar komunist të botës moderne, e dimë se këto dy qëndrime, në dukje artificiale, letrareske, të tepruara, janë plotësisht të vërteta; jetuam në një hapësirë të kufizuar, nga një anë të jemi K. dhe në anën tjetër të jemi Shvejk; kjo do të thotë se, në një skaj, është identifikimi me pushtetin deri në solidarizimin e viktimës me xhelatin e vet dhe, në anën tjetër, mospranimi i pushtetit duke mos e marrë asgjë seriozisht; kjo do të thotë: në mes të absolutizmit të seriozitetit të K.-së dhe absolutizmit të mosseriozitetit të Shvejkut.
Thomas MANN: Megjithëse ngjan si një Novalis i Europës Lindore, sipas mendimit tim, Kafka nuk është as romantik, as poet engjëllor, as mistik.
Nuk mund të cilësohet romantik, se paraqitet shumë i saktë, shumë realist, shumë i lidhur me veprimin e thjeshtë e të natyrshëm të kësaj jete. Nuk mund të jetë poet engjëllor, se ka shumë prirje ndaj komikes; ai ka një komicitet të çuditshëm dhe shumë të ndërlikuar.
Përsa i përket misticizmit, në një bisedë me antropologun Rudolf Shtanier, ai ka pohuar se në punën e tij ka disa “çaste prej falltari” dhe antropologu i krahasoi krijimet e shkrimtarit me një “doktrinë” të re, të fshehtë si një “kabala”.
Por erëmimi i transhendencës, kapërcimi nga e ndjeshmja tek e tejndjeshmja, “epshi skëterror”, shtrati martesor i varrit, të gjithë këta elementë të misticizmit vulgar apo të mirëfilltë, janë gjëra që atij nuk i shkojnë përshtat.
André GIDE: E rilexoj “Procesin” e Kafkës me admirim edhe më të madh, sesa kur e zbulova për herë të parë këtë libër të mrekullueshëm.
Libri i tij i shmanget çdo shpjegimi racional; realizimi i tablove të tij e zotëron tërë fushën e përfytyrimit dhe nuk di ç’të admirosh më shumë: përshkrimi “natyralist” i një universi fantastik, ravijëzimi i hollësishëm e bën të vërtetë në sytë tanë, apo guximi bindës i devijimeve deri në çudi.
Nga të gjitha këto ke shumë për të mësuar.
Ankthi që të përfton ky libër, ka raste që bëhet i padurueshëm dhe njeriu rri e pyet veten pareshtur: A thua jam unë ai që akuzohet?
Zhan-Pol SARTRE: Nuk ka ç’të them për Kafkën, vetëm pohoj se është një ndër shkrimtarët më të çuditshëm e më të mëdhenj të kohës sonë.
Duhet nënvizuar edhe diçka: ai mbërriti i pari dhe teknika që zgjodhi i përgjigjej nevojës së tij të brendshme. Nëse e paraqet jetën njerëzore nga një transhendencë të pamundur, kjo vjen se ai i besonte asaj transhendence.
Me pak fjalë, Kafka ndodhet jashtë nesh dhe kjo na jep mundësi që ta rrokim. Universi i tij është fantastik e njëherësh i vërtetë.
Jorge Luis BORGES: Kafka është një rast i veçantë. Ai nuk i mbaronte romanet e tij, spse nisej nga ideja e pafundësisë. Gjërat, çka vihet re edhe në tregimet e tij, nuk kanë fund.
Përktheu Gjergj Vlashi
21 Prill 2008