I nxehti, shtohen pushuesit në Shkumbin
Elbasan- Fundjava e nxehtë ka vënë në lëvizje shumicën e familjeve elbasanase të cilat i jsnë drejtuar pishinave, lumit Shkumbin dhe një pjesë e vogël në drejtim të plazheve. Një pjesë e tyre kanë zgjedhur ujin e Shkumbinit dhe veçanërisht zonën e Labinotit dhe Mirakës.
Pushuesit ditorë thonë se kanë zgjedhur këtë vend për të kaluar të nxehtin pasi uji është pa para dhe mund tdë freskohesh pa harxhuar shumë para.
Nexhit Mukja, një nga pushuesit tregon se kjo zonë buzë shkumbinit është edhe më e frekuentuara edhe pse ky ujë nuk është i pastër. “Fatmirësisht është i rrjedhshëm edhe pse e dimë që derdhen ujërat e zeza të Librazhdit. Mendojmë se kjo është zona më e pastër e Shkumbinit pasi në vende të tjera uji është shumë i qelbur”- thotë ai.
Por problemet që shfaqen sidomos për fëmijët janë të mëdha. Kështu, shumë të mitur shfaqin probleme me lëkurën për shkak të papastëritve të ujit. Megjithëse përreth Elbasanit janë ndërtuar një numër i madh pishinash, tarifa që pronarët kanë vendosur është e papërballueshme nga shumica prej familjeve. Kjo tarifë varion nga 350 lekë të reja në 500 lekë të reja për person vetëm hyrja pa llogaritur shpenzimet e tjera.
Një tjetër grup pushuesish vazhdojnë të shfrytëzojnë plazhin ditor nëpërmjet trenit dhe autobuzave interurbanë. Sipas pushuesve ditorë, shpenzimet janë rritur ndjeshëm. Shumica e familjeve kanë hequr dorë nga pushimet pasi paratë që duhen për të kaluar 15 ditë pranë bregdetit i kalojnë shpenzimet e parashikuara për shkak të rritjes së çmimeve.