Qeveria e re, nesër takimi Gruevski-Thaçi
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski menjëherë sapo të marrë nesër mandatin për formimin e koalicionit qeveritar do të zhvillojë takimin e parë me liderin e PDSH-së, Menduh Thaçi.
Lajmi konfirmohet nga përfaqësues të lartë të këtyre dy partive për agjencinë e lajmeve INA, ku gjithashtu theksohet se Gruevski sapo të marrë mandatin nga presidenti Branko Cërvenkovski ka caktuar takimin me liderin e PDSH-së.
“Gruevski dhe Thaçi pritet të shqyrtojnë mundësinë e vazhdimit të qeverisjes. PDSH ka plaftormën e saj dhe do të bazohet në realizimin e prioriteteve të kësaj platforme”, bën të ditur një zyrtar i lartë i PDSH-së.
Në faqen zyrtare të kësaj partie thuhet se PDSH ka kapacitete dhe energji për të përmbushur objektivat politike, kombëtare dhe strategjike me realizimin e gjashtë kërkesave përfshirë çështjen e emrit dhe përmbushjen e standarteve për NATO dhe BE.
Lideri i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski bëri të ditur dje se do të fillojë prej të hënës bisedimet për formimin e koalicionit qeveritar dhe ndarjen e resoreve ministrore.