E Shtunë, 31 Tetor 2026

86 mijë euro tepër

TIRANË - Ish-avokati Arian Ndoja, aktualisht drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Durrës mund të konsiderohet tepër i suksesshëm në profesionin e tij, pasi për një periudhë 4-vjeçare ka arritur të sigurojë një pasuri në vlerën e 743 mijë eurove. Por me gjithë suksesin e arritur si avokat, Ndoja nuk ka justifikuar pasuritë e vëna gjatë kësaj kohe, madje ai u është shmangur detyrimeve fiskale në Tatim-Taksa, që rrjedhin nga ushtrimi i profesionit. Për të gjitha këto arsye Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive ka vendosur të depozitojë në Prokurorinë e Tiranës një kallëzim penal ndaj shtetasit Arian Zef Ndoja, i cili nga pasuria e deklaruar para marrjes së detyrës si drejtues i Prokurorisë së Durrësit, nuk ka arritur të justifikojë shumën e 86 mijë eurove.

Sipas ILKDP-së, i pyetur për burimin e të ardhurave të përfituara gjatë periudhës 2004-2008, kohë në të cilën pretendon se ka ushtruar detyrën e avokatit, Ndoja ka dorëzuar 18 fatura pagesash të klientëve të mbrojtur prej tij, të cilat tregojnë se ai ka përfituar 657 mijë euro nga kjo punë, duke lënë të pambuluar shumën e 86 mijë eurove. Në faturat e paraqitura nga Ndoja rezulton se vetëm nga një klient ai ka marrë 321 mijë euro, fakt ky që nuk i ka bindur inspektorët e ILKDP-së, të cilët mendojnë se për këtë çështje duhet të hetojë prokuroria. Por ky është vetëm një nga problemet që ka z. Arian Ndoja, pasi zyrtarisht Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive thotë se gjatë punës si avokat, subjekti në fjalë iu është shmangur detyrimeve fiskale dhe nuk është regjistruar në Zyrën e Tatim-Taksave.

Me gjithë pretendimet e tij se ka ushtruar detyrën e avokatit që nga muaji qershor i vitit 2004 deri në janar të vitit 2008, Qendra Kombëtare e Regjistrimit me shkresën nr .2841/1, prot. datë 09 qershor 2008, konfirmon se Arian Ndoja është registruar si person fizik për ushtrimin e aktivitetit privat të avokatisë vetëm në datën 19 shtator 2007. Pasi ka konstatuar mospërputhjen e të ardhurave të deklaruara nga Arian Ndoja më 5 mars 2008, para marrjes së detyrës si prokuror i rrethit të Durrësit, ILKDP-ja ka kryer një sërë verifikimesh në institucionet e specializuar, si Banka e Shqipërisë, bankat e nivelit të dytë, Qendra Kombëtare e Regjistrimit, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve dhe Hipotekë, rreth aktivitetit që ka ushtruar Ndoja si avokat. Të dhënat e mbledhura nga këto institucione tregojnë se Arian Ndoja është regjistruar në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve më datë 2 tetor 2007, ndërsa një fakt i tillë nuk konfirmohet nga Bashkia e Tiranës, e cila posedon dosjet e biznesit të vogël. Sipas ILKDP-së, bëhet me dije se “subjekti Arian Ndoja në deklaratën e tij të pasurisë datë 05.03.2008, ka pasqyruar të dhëna të cilat të krijojnë dyshime të arsyeshme se nuk janë të vërteta. Ky subjekt krahas dyshimeve që ekzistojnë për vërtetësinë e shumave deri në 321.000 euro, që deklaron se i ka marrë nga një klient, nuk ka arritur të dokumentojë e të provojë se në ç’rrethana ka arritur të përfitojë shumën prej 86.000 eurosh gjatë periudhës qershor 2004 - janar 2008”. Për këtë arsye, Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive i kërkon Prokurorisë së Tiranës të fillojë procedim penal ndaj Arian Ndojës, për veprën penale “refuzimi për deklarim, mosdeklarim, fshehje ose deklarimi i rremë i pasurive të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.

Deklarata e pasurisë pas shkarkimit si prokuror në vitin 2004

Makinë tip “Benz 190”, me targë X, me vlerë 200.000 lekë.

Gjendje “cash” në shumën 20.000 euro (të krijuara në periudhën maj-dhjetor 2004).

Të ardhurat nga paga si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, për katër muajt e parë të vitit 2004 dhe deri në fund të vitit si avokat në Dhomën e Avokatisë Tiranë, në shumën 28.000 euro + 280.000 lekë.

Të ardhura nga paga e bashkëshortes, shefe personeli dhe juriste e hotel “Dajtit” prej 500.000 lekësh.

Deklarata e pasurisë para fillimit të detyrës së re, datë 05. 03. 2008

Apartament banimi, me sip. 117.5 m², Rr. “IrfanTomini” Tiranë, me vlerë 65.000 euro, i pahipotekuar, i likuiduar.

Apartament banimi me sip. 327.71 m², me vlerë 163.855 euro, të ndodhur në Shëngjin, Lezhë.

Apartament banimi me sip. 90.2 m², Shëngjin, Lezhë, me vlerë 2.000.000 lekë, i hipotekuar, i likuiduar.

Lokal me sip. 114.6 m², në Shëngjin, Lezhë, me vlerë 114.600 euro, i pahipotekuar.

Lokal me sip. 159.52 m², në Shëngjin, Lezhë, me vlerë 159.520 euro.

Automjet tip “Mercedes Benz” me targë TR 4700 F, me vlerë 200.000 lekë + taksë doganore dhe dokumentacion i likuiduar.

Automjet tip “BMW” me vlerë 34.000 euro, nga e cila likuiduar 17.000 euro dhe pjesa tjetër prej 17.000 eurosh me huadhënie nga një bankë.

Gjendje “cash’, shuma prej 130.000 eurosh.

Dhënë hua një shtetasi shumën prej 75.000 eurosh.

Detyrim në formë leasingu në një bankë, në vlerë totale 20.000 euro për blerje automjeti tip “BMW.

Të ardhurat e subjektit si pedagog në universitet 3.000 lekë/ora + provimet.

Të ardhurat nga puna e bashkëshortes së subjektit, shtetases Elderina Ndoja, juriste dhe shefe personeli në hotel “Dajti” me pagë mujore 42.000 lekë ose 504.000 lekë në vit.

Të ardhurat nga puna e të atit, Zef Ndoja, mësues në shkollën e mesme Nikël, Krujë, me pagë neto 27.400 lekë në muaj, ose 328.800 lekë në vit.

Të ardhurat nga puna e së ëmës, Drane Ndoja, mësuese në shkollën 8-vjeçare Nikël, Krujë, me pagë mujore 24.500 lekë në muaj, ose 294.000 lekë në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›