E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pamposhturi Andrea Pirlo

Jo vetëm lojtar kyç te Juventusi kampion. Jo thjesht një mesfushor i pazëvendësueshëm në kombëtaren italiane. Jo rastësisht ndodhet gjithmonë në listën e ngushtë të pretendentëve për “Topin e Artë”. Andrea Pirlo mbetet ylli i futbollit italian, pavarësisht moshës 33-vjeçare.

Por, tashmë, mesfushori shfaqet edhe si i pamposhtur. Prej dy vjetësh, Pirlo nuk e njeh shijen e humbjes në kampionatin italian. Ishte 30 tetori 2010, kur pikërisht Juventusi ku ai po përjeton një rini të dytë, i shkaktoi disfatën e fundit në Serinë A.

Golat e Quagliarellas dhe Del Pieros i lejuan Juves të mposhtte Milanin në “San Siro”, në sezonin e fundit ku kuqezinjtë fituan titullin. Aty nisi ecuria e jashtëzakonshme e Pirlos, që në fund të atij edicioni u transferua në Torino dhe prej atij momenti u shndërrua në të pathyeshëm.

Shifrat janë mbresëlënëse: 53 ndeshje radhazi pa pësuar humbje, në të cilat ka marrë 36 fitore dhe 17 barazime. 48 prej këtyre sfidave i ka zhvilluar me Juventusin ku praktikisht luan gjithmonë, pasi në afro një vit e gjysmë ka pushuar vetëm një herë. Madje, vetëm në këto javë të para të sezonit ai numëron 1.087 minuta të luajtura, nga të cilat 697 në kampionat, 270 në Champions dhe 120 në Superkupën e Italisë.

Tashmë Pirlo është në ndjekje të rekordit. Më pranë mesfushori ka ecurinë e Maldinit dhe Massaros, që ndodhen në kuotën e 54 ndesheve pa humbje. Më lart renditet Costacurta me 59 ndeshje, ndërsa primatin e mban Donadoni me 64 javë radhazi pa humbje në Serinë A italiane.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›