Masakra e trajnereve te Superliges

Menduam se kjo do të ishte përvojë e kaluar. Besuam se drejtuesit e klubeve të Superligës shqiptare (dhe të niveleve të tjerë) kishin zënë mend dhe kishin bërë kthesë për të mos qenë më pre e pasioneve iracionale të çastit, tregues i qartë i paaftësisë profesionale.
Paskemi qenë të gabuar. Edhe pasi një ish-trajner i Seviljes dhe ish-lojtar i Barcelonës si Hulian Rubio Sançez rriti shkëlqimin e kampionatit, edhe pasi Hasan Lika bëri një mrekulli të vogël me Teutën sezonin e kaluar, sërish jemi më keq sesa ishim.
Tetë trajnerë janë shkarkuar në Superligë në vetëm 8 javë kampionat. Bëhet fjalë për më shumë se gjysmën pasi deri tani kanë shpëtuar vetëm 6. Rastet e fundit ishin ata të Lekbellos tek Tirana dhe Gjokës tek Apolonia.
Besohet se ky është rekord sezonal europian, ndërsa e sigurt është se pikërisht këta emra që u skartuan si fajtorë dhe të paaftë, do të jenë shpresa e re e klubeve dhe do t’i shohim të prezantohen mes buzëqeshjeve.
Masakra e këtij fillim sezoni me drejtuesit e stolit tregon edhe një herë sesa larg jemi në Shqipëri nga ndërtimi i klubeve profesioniste, nga strategjitë të paktën afatshkurtëra dhe afatmesme dhe nga niveli i kënaqshëm i futbollit që do të na mbushë stadiumet dhe do të ndihmojë klubet të mbushin arkat me para.
Si pasojë, për kombëtaren kuqezi na rrofshin djemtë e shqiptarëve nga Kosova e Maqedonia që përgatiten nga të tjerë në Zvicër, Gjermani, Finlandë dhe që ne, patriotët e mëdhenj shkatërrues do t’i kërkojmë llogari që të veshin fanelën kuqezi dhe të na nxjerrin sadopak nga balta.
Trajnerët e shkarkuar në Superligë 2012-2013 janë Hulian Rubio Sançez i Tiranës, Shkëlqim Muça i Flamurtarit, Hasan Lika i Teutës, Stavri Nica i Laçit, Artan Mergjyshi i Kastriotit, Artur Lekbello i Tiranës, Nevil Dede i Luftëtarit dhe Ernest Gjoka i Apolonisë.