E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pavendosur për Kosovën

Pas 11 vitesh, Emir Bajrami po qëndron në vendlindje, me ç’rast të shtunën e vizitoi edhe Federatën e Futbollit të Kosovës. Mesfushori i Twentes tha se aktualisht është i përqendruar te reprezentacioni suedez, por nuk e përjashtoi mundësinë që ta veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës pasi të anëtarësohet në FIFA e UEFA. 23-vjeçari tha se po ndihet mirë në klubin holandez. Nga Valon Konushevci valon.konushevci@gazetaexpress.com më 22 maj 2011 në ora 14:00

Emir Bajrami nuk e ka përjashtuar mundësinë që ta veshë fanellën e përfaqësueses së Kosovës, pasi Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) të anëtarësohet në FIFA dhe UEFA. Mirëpo, njëherë përnjëherë mesfushori i Twentes ka thënë se është i përqendruar vetëm në Kombëtaren e Suedisë.

Këto komente Bajrami i bëri të shtunën në Prishtinë, pas një vizite që ia bëri FFK-së, ku u prit nga krerët e futbollit kosovar.

“Kosova ende nuk është anëtare e FIFA-s dhe UEFA-s, kurse unë jam duke luajtur për Suedinë. Unë do të vazhdoj të luaj për Suedinë. Pasi Kosova të pranohet në FIFA dhe UEFA, atëherë unë do të bisedoj me selektorin Albert Bunjaku”, deklaroi Bajrami për Express, i cili këto ditë po qëndron në vendlindje pas plot 11 vitesh.

“Jam i lumtur që kam ardhur në vendin tim. Më parë nuk mund të vija, sepse aktivizohesha në kampionatin suedez, ku futbolli luhet verës. Ndërsa, tani po luaj në Holandë. Atje kampionati përfundoi dhe gjeta kohë të vijë këtu”, ka theksuar prishtinasi, i cili në zyrat e FFK-së u prit nga nënkryetari i saj, Agim Ademi dhe sekretari Eroll Salihu.

Të dy këta haptazi i thanë Bajramit se për të, dyert e përfaqësueses së Kosovës do të jenë gjithmonë të hapura. Madje, Ademi dhe Salihu ia dhuruan Bajramit një fanellë të reprezentacionit kosovar me numrin 11.

“Emir Bajrami është një thesar i futbollit kosovar dhe i shtetit të Kosovës në përgjithësi. Jemi të lumtur që e kemi mysafir dhe jemi të gëzuar me arritjet e këtij djaloshi. Ne urojmë që ai të luajë edhe për ekipe akoma më të mëdha evropiane, por edhe në përfaqësuesen e Kosovës”, deklaroi Ademi në një konferencë për media.

Ndërkohë, ish-lojtari i Elfsborgut foli edhe rreth aventurës së tij në kampionatin holandez te skuadra e Twentes. Bajrami tha se po ndihet mirë në këtë skuadër, me të cilën luajti edhe në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës, derisa fitoi Kupën e Holandës, por dështoi në xhiron e fundit ta fitojë edhe titullin e kampionit.

“Titullin e humbëm në ndeshjen e fundit si mysafirë të Ajaxit dhe ishim të dëshpëruar. E kemi ditur që nuk do ta kemi lehtë në takimin e fundit si mysafirë të Ajaxit. Megjithatë, pasi humbëm, kur u kthyem në qytetin tonë, tifozët na pritën mirë, e jo keq siç mendonim para se të shkonim”, shtoi ai.

Ndërsa, pasi ishte aktivizuar në Ligën e Kampionëve, Bajrami ishte rrëqethur. “Si fëmijë kam ëndërruar të luaj në asi ndeshje, andaj isha i gëzuar dhe i rrëqethur, sidomos në duel me Interin dhe Tottenhamin”, tha ai.

Bajrami pohoi se dëshiron ta respektojë kontratën me Twenten, e cila e mban të lidhur edhe për tri vite. Ai pohoi se klubin holandez do ta braktiste vetëm nëse në adresë së tij vjen ndonjë ofertë prej ndonjë klubi gjigant evropian.

Ai foli edhe për përfaqësuesen e Suedisë, me të cilën shpreson të kualifikohet në Kampionatin Evropian, ‘Euro 2012’.

Bajrami të dielën pritet ta përcjellë edhe ndeshjen kampionale të Kosovës mes Prishtinës dhe KEK-ut.

Bajrami ndihmon futbollin kosovar

Emir Bajrami e ka mbështetur financiarisht një projekt të selektorit të Kosovës, Albert Bunjaku, të cilin synon ta zbatojë në Kosovë, në shërbim të futbollistëve të gjeneratave të reja.

“Unë kam biseduar me sponsorin tim, ‘Adidas’, për ta ndihmuar projektin me topa dhe me pajisje të tjera sportive dhe pagesa të bëhet përmes kontos sime. Aq sa unë do të përparoj, bashkë me mua do të përparojë edhe futbolli kosovar”, ka theksuar Bajrami.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›