Schalke fiton Kupën e Gjermanisë
Ekipi nga Bundesliga Schalke 04 shkatërroi skuadrën nga Bundesliga 2, Duisburg me rezultat 5-0 dhe ngriti Kupën e Gjermanisë, titullin e tyre të parë pas nëntë viteve para 75.708 shikuesve në stadiumin Olympia në Berlin.
Schalke kaloi në epërsi kur mesfushori i ri Julian Draxler shënoi në minutën e 18-të me një goditje të fuqishme pas shërbimit nga sulmuesi Jefferson Farfan.
Vetëm katër minuta më vonë sulmuesi i Schalkes, Klaas Jan Huntelaar dyfishoi epërsinë kur shfrytëzoi një tjetër asistim nga Farfan.
Duisburg u shpartallua plotësisht ndërsa mbrojtësi i Schalkes Benedikt Hoewedes realizoi për 3-0 pak minuta para përfundimit të pjesës së parë pas shërbimit të Farfanit nga goditja nga këndi.
Mesfushori i Schalkes Jose Manuel Jurado dhe sulmuesi Huntelaar kompletuan fitoren e thellë 5-0 deri në minutën e 70-të duke i sjell Kupën e tyre të pestë të Gjermanisë pas 1937, 1972, 2001 dhe 2002.
Schalke përfundoi sezonin pozitivisht me Kupën e Gjermanisë mirëpo me edicion dëshpërues në Bundesligë në pozitën e 14-të.