E Diel, 1 Nëntor 2026

I penduari: Atentati ndaj Lul Berishës dhe 2 vrasje

 

Armand Bajrami

Episode të rënda kriminale, autorësinë e të cilave Prokuroria ua "faturon" të akuzuarve si anëtarë të "bandës së Durrësit", u rrëfyen dje nga i penduari para togave të zeza të Krimeve të Rënda. I penduari dhe bashkëpunëtori i drejtësisë, Adriatik Coli, dëshmoi për rreth pesë orë e gjysmë për planin e dështuar për ekzekutimin e Lulëzim Berishës me antitank, si edhe vrasjet ndaj Avni Gashit dhe Ilir Koldashit. Burime brenda seancës me dyer të mbyllura bënë të ditur se Coli tregoi se si ai dhe persona të tjerë ndaluan për të ngrënë një drekë në një lokal pranë rrugës Durrës-Tiranë, ndërkohë që në bagazhin e automjetit me të cilin kishin udhëtuar ndodhej kufoma e Avni Gashit. Gjithashtu Coli ka "servirur" edhe ngjarjen e ekzekutimit të Ilir Koldashit, pas një grindjeje banale që ai kishte pasur me Kujtim Bunën, një nga të pandehurit në proces.
ATENTATI I DESHTUAR
Ditën e djeshme Coli ka rrëfyer tentativën tjetër për të eliminuar Lulëzim Berishën, pasi banda ishte ndarë në dy fraksione. "Gjatë kësaj kohe po bënim plane për të vrarë Lulin me kundërtank, për këtë gjë u interesua Kujtim Buna, i cili i telefonoi një personi nga Kosova për të blerë dy kundërtanke njëpërdorimëshe. Këto dy kundërtanke i sollën dy shtetas kosovarë, të moshës rreth 40 vjeç, njëri prej tyre ishte i gjatë dhe rreth 1.80 m dhe i shëndetshëm, kishte flokë biondë, ndërsa tjetri ishte më i shkurtër, rreth 1.65 m, me trup të dobët dhe me flokë të rëna", është shprehur Coli në deklarimet e tij para Prokurorisë për këtë ngjarje. Në vijim ai ka treguar se kishin bërë një pazar me çmim 80 mijë euro për të vrarë Lul Berishën. 
Po sipas Colit, në kohën që "killer"-at ishin pozicionuar 50 metra larg lokalit ku qëndronte Berisha, njëri prej tyre ishte sulmuar prej tre personave, të cilët i ishin qepur për ta rrahur. Kjo kishte shkatërruar planin e vrasjes.
VRASJA E GASHIT
Sipas Colit vrasja është kryer në një hotel pranë zonës së "21 Dhjetorit" në Tiranë, pas dyshimeve që anëtarët e bandës kishin krijuar se Bujar Gashi kishte spiunuar pas vrasjes së Klodian Saliut. Sipas deklarimeve të Colit, Avni Gashi është qëlluar me pistoletë me silenciator në distancë të afërt nga pas nga Sardian Sulejmani. "Unë mora një qese të zezë, vesha një palë doreza dhe me qese i mblodha kokën e Avniut dhe qesen e shtrëngova me skoç rreth qafës, në mënyrë që mos të dilte gjaku. Hapa bagazhin e 'Jaguarit' dhe shtrova qese të zeza dhe pastaj morëm kufomën dhe e futëm brenda të katërt. Pastaj pastruam gjakun me shtupa dhe detergjente. Kur i mbaruam këto punë, Indriti na tha që ai do të ikte para me Kujtimin, ndërsa unë me Sardianin do ta ndiqnim mbrapa me 'Jaguar'. Indriti me Kujtimin morën një taksi dhe kur taksia erdhi, ne e ndoqëm nga mbrapa. Makinës 'Jaguar' i jepja unë, ndërsa Sardiani ishte në vend të parë. Vazhduam rrugën për në autostradë dhe në Sukth morëm Indritin dhe Kujtimin, të cilët kishin zbritur nga taksia. Pastaj kaluam mbikalimin dhe morëm rrugën Plepa-Tiranë. Aty qëndruam në një lokal dhe hëngrëm bukë", ka deklaruar Coli, ndërsa ka vijuar se trupi i pajetë i Gashit është hedhur më vonë në një kanal.
VRASJA E KOLDASHIT
Sipas Colit, Ilir Koldashi është vrarë pas një momenti gjaknxehtësie në një disko në kryeqytet. I penduari ka deklaruar se anëtarët e bandës kishin porositur dy pistoleta, pasi kishin për të "sqaruar" një konflikt të lindur mes Kujtim Bunës dhe Koldashit, i cili ishte bodigard në disko. "Indriti, para se të dalë te dera shan duke thënë: 'mbajeni mend se do t'u bëj motrën të gjithëve'. Personi i thotë: 'mua më shan nga motra, more kllëf' dhe i turret Indritit. Indriti i tha që unë nuk të shava ty. Kujtimi i del përpara këtij personi që u prezantua si Ilir Koldashi dhe e qëllon me të dy duart në fytyrë. Iliri i gjuan Kujtimit me grusht dhe ata lidhen me njëri-tjetrin, duke u mundur t'i qëllonin njëri-tjetrin. Në atë kohë, Ilirin e kisha me kurriz dhe nxora pistoletën dhe e qëllova dy herë dhe pastaj ika me vrap", ka deklaruar Coli.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›