E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pronat, Strasburgu gjobit Shqipërisë

 

Fatos Mahmutaj

Trualli i Ambasadës italiane në Tiranë, shteti Shqiptar dënohet 3 milionë euro. Kaq është shuma e dëmshpërblimit që Gjykata Evropiane ka vendosur në favor të katër anëtarëve të fisit Vrioni, trashëgimia e të cilëve është një sipërfaqe toke 1.637 metër katrorë që aktualisht ndodhet brenda rrethimit të Ambasadës italiane në Tiranë. Sipas vendimit të Strasburgut 84-vjeçari Shahin Vrioni, që jeton në Shqipëri dhe Gherardo la Francesca 63 vjeç; Dario la Francesca 59 vjeç dhe Oliver Vrioni 35 vjeç, që jetojnë në Itali, duhet të përfitojnë në total 2.919.500, nga të cilat 2.719.500 euro në lidhje me dëmtimin 200.000 në lidhje me dëmin jopasuror. "Përsa i përket kërkesës në lidhje me dëmin pasuror aplikantët kanë paraqitur një aktvlerësimi të pronës ku vlera e saj është llogaritur në 2.184.000 euro, ndërsa fitimet e munguara midis 1996 deri më 2006 në 535.500 euro. Përfaqësuesit e qeverisë shqiptare nuk kanë paraqitur ndonjë koment për këtë", thuhet në vendimin e Strasburgut. Sipas këtij vendimi trualli për të cilin bëhet fjalë, me sipërfaqe 1.637 metër katrorë i është konfiskuar gjyshit të katër aplikantëve nga shteti komunist më 1950. Më 1 korrik 1991, Ambasada Italiane në Tiranë ka blerë dy ndërtesa në kufi me pronën e konfiskuar familjes Vrioni. Në lidhje me këtë është firmosur akti i shit-blerjes në shumën e 3.75 miliardë lireta italiane nga Ministria e Jashtme Shqiptare dhe Ambasada Italiane, dhe në rrjedhojë të këtij dokumenti janë vendimet respektive të Qeverisë Shqiptare. Më pas këto para u përdorën nga qeveria shqiptare për të blerë ambasadën tonë në Romë. Në vitin 1993 me daljen e Ligjit për njohjen, kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve, anëtarët e familjes Vrioni kanë kërkuar të drejtat mbi këtë pronë. Më 1996 dhe 1999 Komisioni i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, ka njohur dhe kthyer si të lira, ndër të tjera edhe dy sipërfaqe trualli, gjithsej 1456 metër katrorë që gjenden brenda territorit ku janë vendosur dy godinat në pronësi të Ambasadës italiane. Po kështu KKKP urdhëroi kompensimin në favor të familjes Vrioni të një sipërfaqeje prej 181 metër katrorë, e cila ishte zënë nga ndërtime. Për më tepër, KKKP urdhëroi që pronat të regjistrohen në Regjistrin e Pronave Tiranë në emër të familjes Vrioni. Në këtë kohë, më 1996, këta i kërkojnë Ambasadës italiane kthimin e pronës së tyre duke pretenduar se ajo ishte pushtuar. Kjo duke pasur parasysh faktin se Ambasada italiane kishte titull pronësie vetëm mbi ndërtesat dhe jo sipërfaqen që ndodhej mes tyre. Pas refuzimit të palës italiane me argumentin se kjo marrëdhënie duhej të zgjidhej me shtetin shqiptar, anëtarët e familjes Vrioni i janë drejtuar gjykatave. Pas shqyrtimit disa herë nëpër gjykata çështja është dërguar në Strasburg, gjykatë e cila shpalli vendimin në versionin anglisht më datë 29 shtator.

Familja Vrioni, mori në mars nga Strasburgu edhe 450 mijë euro
TIRANE - Në muajin mars të këtij viti Gjykata e Strasburgut penalizoi shtetin shqiptar me 450 mijë euro, në lidhje me një ankim të familjes Vrioni për probleme pronësie. Kjo çështje ka lidhje me konfliktin e pronësisë për gjysmën e një banese private në Tiranë, që sipas Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut nuk është zgjidhur drejt nga shteti shqiptar dhe ku gjykatat kanë shkelur të drejtat e pronarëve. Historia e konfliktit gjyqësor ka si palë pronarët e vjetër anëtarë të familjes Benusi dhe pronarëve e rinj anëtarë të familjes Glozheni për gjysmën e një shtëpie private, së bashku me truallin dhe oborrin, gjithsej 600 metër katrorë, të cilën pronari aktual e kishte blerë rreth 50 vjet më parë. Para luftës në Shqipëri, babai i kërkuesve ishte pronar i një vile së bashku me 1,377 metra katrorë truall në Tiranë. Por, në 21 prill 1948, Gjykata e Lartë Ushtarake e shpalli Benusin fajtor për çështje politike, duke e dënuar atë me 7 vjet burg, si dhe urdhëroi konfiskimin e gjysmës se pronës që ishte hipotekuar. Sipas një ligji të asaj kohe, kjo pronë i kaloi shtetit dhe brenda të njëjtit vit shteti ia shiti këtë pjesë pronarit të ri Glozheni. Por, në 1992 prona iu kthye sërish pronarëve të vjetër, duke shënuar kështu fillimin e maratonës së proceseve gjyqësore. Strasburgut vendosi dëmshpërblimin 450 mijë euro për pronarët e vjetër, ndërsa prona i mbetet pronarit të ri.      fa.ma.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›