E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-deputeti i PD-së lihet i lirë nga Apeli

 

DURRES - Gjykata e Apelit hedh poshtë vendimin e Gjykatës së Faktit të Durrësit, duke e nxjerrë ish-deputetin Flori Bajramaj nga arresti shtëpiak. Mësohet se ashtu sikurse Bajramaj, edhe i prangosuri tjetër i dosjes "Rrashbulli", inxhinieri Pasho Beqiri ka rifituar lirinë, 36 ditë pas arrestimit. Ata u arrestuan më 16 shtator, në kuadër të operacionit policor "Shkëmbi i Kavajës", i cili mori shkas nga një denoncim i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Burimet saktësuan se pas përfundimit të seancës së parë gjyqësore. Apeli ka zëvendësuar për dy të pandehurit masën shtrënguese "arrest shtëpie" me ndjekje penale në gjendje të lirë. Ky vendim i drejtësisë është bazuar në faktin se KRRT-ja e Rrashbullit i ka marrë vendimet për leje godinash në mënyrë kolegjiale, duke u bazuar në votimin e shumicës dhe si pasojë për këtë nuk mund të fajësohen vetëm juristi Bajramaj dhe shefi i Urbanistikës Beqiri. Ndërkohë që burimet nga Prokuroria thanë se e gjithë pjesa vendimmarrëse e komunës Rrashbull është vënë nën hetim. Ndaj sikurse edhe anëtarët e tjerë të KRRT-së, në komunën bregdetare, si Bajramaj ashtu dhe Beqiri do të hetohen në liri. Për akuzën gjendja e tyre e lirë nuk mund të dëmtojë hetimin, pasi ndërkohë janë sekuestruar muaj më parë me qindra dokumente si leje ndërtimi, leje sheshi, korrespondenca me bashkinë, qarkun, ankimime ish-pronarësh etj. Hetimi i KLSH-së nisi në vitin 2007, por mandati me imunitet i Bajramajt vonoi përballjen e tij me drejtësinë. Burime nga Prokuroria konfirmojnë se vendimi për lirinë është marrë pas ankimit të mbrojtjes së të akuzuarve pranë gjykatës së apelit, me pretendimin se të akuzuarit nuk janë në gjendje për të përballuar kushtet e arrestit shtëpiak, për shkak të arsyeve shëndetësore. Por akuza bën me dije se "hetimi në liri nuk u heq atyre përgjegjësitë penale, pasi procesi për shpërdorim detyre do të vijojë".                               o.u

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›