E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hetim anëtarëve të Strehimit

 

ELBASAN/ ALDO KOZARJA

Prokuroria e Elbasanit deklaron se pas arrestimit të kryetarit të komisionit të strehimit, Kujtim Hazbiu, të gjithë anëtarët janë nën hetim. Zgjerimi i dosjes me të tjerë të dyshuar bëhet i ditur nga organi i akuzës 24 orë pas arrestimit të Hazbiut, njëkohësisht nënkryetari i Këshillit Bashkiak në Elbasan. Mësohet se në lidhje më këtë çështje, të arrestuarit i është kërkuar të bashkëpunojë me grupin hetimor për zbardhjen e plotë të veprave penale për të cilat akuzohet Hazbiu, por kjo është mohuar nga ana e 58-vjeçarit. Prokuroria, momentalisht nuk i bën të ditur emrat e këshilltarëve të bashkisë, të cilët janë dhe anëtarë të komisionit të strehimit, për faktin e mbrojtjes së hetimeve deri në momentin e finalizimit të tyre. Të kontaktuar dje nga gazeta në lidhje me arrestimin e zyrtarit të shtetit në Elbasan, Kujtim Hazbiu, i cili veç dy pozicioneve të lartpërmendura mbante dhe postin e Drejtorit të Inspektoratit të Ndërtimit, drejtues të lartë në bashki si dhe përfaqësues të Këshillit Bashkiak kanë pohuar se këtë fakt e kanë mësuar nga mediat. Përfaqësues të bashkisë kanë bërë të ditur, se disa muaj më parë, me anë të një shkrese, Prokuroria e Elbasanit u kishte kërkuar dokumentacion dhe një informacion zyrtar të detajuar në lidhje me procedurat e ndarjeve të banesave për të pastrehët. Ndërsa në lidhje me shkarkimin e Hazbiut nga funksionet, që mban momentalisht dhe pas arrestimit të tij, zyrtarë të bashkisë pohojnë se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm pasi ai të ketë marrë fajësinë nga ana e gjykatës. "Deri tani, ai është thjesht një person i akuzuar dhe nën hetim dhe hapa të tillë nuk mund të ndërmerren në këto momente të para", pohuan ata. Të njëjtët zyrtarë pohojnë se janë plotësisht të hapur me Prokurorinë e rrethit të Elbasanit, për t'i vënë në dispozicion asaj çfarëdolloj materiali që ka të bëjë me shkeljet e kryera nga ana e Këshillit Bashkiak, me qëllim parandalimin e veprave penale, të ngjashme me ato që dyshohet të ketë kryer nënkryetari i saj, Kujtim Hazbiu. Gjithashtu mësohet se Prokuroria e Elbasanit brenda 5 ditëve në vijim do të kërkojë një listë me emrat e atyre familjeve që kanë marrë shtëpi si të pastrehë. I gjithë ky material do të verifikohet për të zbardhur nëse ka dhe familjarë që kanë shfrytëzuar dokumentacion të falsifikuar, për të përfituar shtëpi nga zyra e strehimit. Ditën e djeshme, Kujtim Hazbiut i është komunikuar masa e arrestit nga ana e gjykatës, e cila ka vendosur të lërë në arrest me burg funksionarin e Bashkisë së Elbasanit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›