E Shtunë, 31 Tetor 2026

I penduari i "Rexhina" kërkon ulje dënimi

Erlind Taullai përfitoi 14 vjet ulje dënimi sepse rrëfeu krimet e bandës që grabiste me armë makina luksoze


TIRANË- I penduari i "bandës" së grabitësve të makinave luksoze, të njohur ndryshe me emrin e operacionit të policisë për arrestimin e tyre "Rexhina", Erlind Taullai, i është drejtuar togave të zeza me një kërkesë për ulje dënimi për sjellje të mirë.


Ky lajm konfirmohet nga burimet zyrtare të Gjykatës së Shkallës së Parë, kërkesa e të cilit është hedhur në short elektronik dhe është caktuar gjyqtari Artan Broci për shqyrtimin e saj. Sipas kësaj kërkese me nr. 842, i dënuari në formën e prerë me 4 vjet burg, Taullai, kërkon nga gjykata t'i ulë 90 ditët burg, për sjellje të mirë të në institucionin e vuajtjes së dënimit.


Kërkesa e tij, ka ardhur menjëherë pasi Gjykata e Apelit për Krime të Rënda la në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, e cila e dënoi me 18 vite burg për "vjedhjet me dhunë", por, që falë bashkëpunimit të tij me drejtësinë i falën 14 vite burg, duke dënuar përfundimisht vetëm me 4 vite heqje lirie.



Ndërkohë, tre nga pesë të pandehurit që Taullai i "tradhtoi" me dëshminë e tij, duke treguar të gjitha grabitjet me armë të kryera në Tiranë, Fier, Vlorë u deklaruan fajtorë dhe u dënuan në total nga gjykata me 26 vite e 4 muaj burg dhe 90 milionë lekë gjobë, ndërsa, për dy të tjerët ende nuk ka përfunduar procesi gjyqësor pasi çështja e tyre është ndarë nga "grupi".

Sipas vendimit të Gjykatës së Apelit, dy vëllezërit Edmond dhe Gentian Nezaj janë deklaruar fajtorë si organizatorë të këtij rrjeti grabitësish dhe janë dënuar me nga 12 vjet burg secili, ndërsa i pandehuri Dritan Hamiti është deklaruar fajtor për "mos kallëzim krimi" dhe dënuar me 2 vjet e 4 muaj burg e 90 milionë lekë të vjetra gjobë.


Dy të pandehurit e tjerë të këtij grupi Bujar Sefa dhe Bledar Hasani, vazhdojnë gjykimin pranë Gjykatës së Shkallës së Parë. Sipas këtyre vendimeve, të pandehurit në bashkëpunim me njëri-tjetrin të veshur me maska në kokë dhe armë ndër duar kanë kryer grabitjen e nëntë makinave luksoze.


Mes të grabiturve nga kjo "bandë" kanë qenë edhe disa persona të njohur, si këngëtarja Ermiona Lekbello apo edhe ish-kreut të Dhomës Kombëtare të Tregtisë, Gjok Uldedaj.


Sipas dosjeve hetimore, të pandehurit kanë kryer këtë aktivitet të grabitjeve të makinave luksoze për një periudhë 2 vjeçare, ku dyshohet se vidhnin edhe makina të tjera të cilat nuk janë provuar, makina këto që i ndërroheshin ngjyrat, numri i shasisë dhe më pas shiteshin sërish në treg.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›