Investimi 24 milionë euro, Vlora vuan mungesën e ujit të pijshëm
VLORË Edhe pse sezoni turistik ka nisur, qyteti bregdetar i Vlorës është pa ujë të pijshëm. Furnizimi në mënyrë të çrregullt me ujë të pijshëm, ka bërë që shumë prej banorëve tu drejtohen burimeve alternative, për të siguruar ujin e nevojshëm, pasi çezmat në banesat e tyre, prej ditësh nuk rrjedh asnjë pikë ujë. Drejtoresha e ujësjellësit, Varvara Gjika sqaron se arsyet e mungesës së ujit të pijshëm, si dhe masat që pritet të merren për të parandaluar këtë shqetësim. Ndonëse është parashikuar një investim prej 24 milionë eurosh për ndërmarrjen e ujësjellësit, siç duket ende nuk është bërë asgjë për të stopuar ndërprerjen dhe reduktimet e furnizimit të ujit të pijshëm. Kështu, vera dhe sezoni i ri turistik e gjen Vlorën pa ujë, një situatë kjo që do të ndikojë negativisht edhe te turistët.
Prononcimi
24 milionë euro të shpenzuara për projektin e ujësjellësit, jo vetëm janë vënë në dyshim, por rezultojnë të hedhura dëm. Gjithçka është faktuar nga vetë situata aktuale e furnizimit të ujit të pijshëm në qytet, ndërsa pohohet edhe vetë nga ndërmarrja e ujësjellësit të Vlorës. Disa lagje në qytet janë pa ujë dhe shkak për këtë mbetet lënia e tubacioneve të vjetra, amortizimi i të cilave nuk është evituar as nga implementimi i projektit të ri.
Drejtoresha e Ujësjellësit të Vlorës, Varvara Gjika shprehet se “shkaku që disa lagje të qytetit janë pa ujë është amortizimi i tubacionit kryesor që po furnizon qytetin e Vlorës. Tubacioni kryesor në rrugën Transballkanike që furnizon qytetin është tërësisht i amortizuar. Ujësjellësi i ri që duhet ta kishte nxjerrë plotësisht jashtë pune këtë tubacion, nuk e ka bërë këtë. Ndërmarrja ka planifikuar me fondin e vet, prej rreth 8 milionë lekë të reja, të nxirret jashtë pune një pjesë të këtij tubacioni. Dhe kjo është arsyeja kryesore që lagjja fundore e qytetit të Vlorës nuk ka furnizim normal, pasi humbet presioni”.
Investimi
Projekti i rehabilitimit të ujësjellësit të Vlorës rezultoi një vlerë financiare prej 24 milionë eurosh, nga e cila gjysma është kredi e butë, dhënë nga qeveria holandeze qeverisë shqiptare, dhe pjesa tjetër është grand i dhënë po sërish nga qeveria holandeze. Me nisjen e punimeve të projektit, sipas drejtuesve të mëparshëm të ujësjellësit, ishte premtuar se ujësjellësi i ri do të furnizonte rreth 80 % të qytetit të Vlorës nga Jonufra deri në Pusin e Mezinit. Por një gjë e tillë, deri tani nuk ka ndodhur. Kjo kërkon një fazë të dytë, për afate apo zbatimin e së cilës ende nuk ka informacione