Mbetjet në lumin Shkumbin ndotin detin Adriatikun
FIER- Tonelata me mbetje urbane po hidhen në ujërat e lumit Shkumbin, lum i cili ndan gjeografikisht rrethin Lushnjë, me atë të Kavajës. Ky fenomen ka shkaktuar ndotje të përmasave të mëdha. Në ujërat e lumit Shkumbin janë zhdukur gjallesat dhe fauna që mund të ekzistonte aty, ndërsa derdhjet e mbetjeve shkojnë nëpërmjet rrjedhës së këtij lumi, drejt grykëderdhjes së Shkumbinit, në detin Adriatik, përfundimisht ndotin bregdetin dhe plazhin e mrekullueshëm të Divjakës. Mbetjet urbane vijnë kryesisht nga qyteti i Rrogozhinës, ai i Kavajës, deri dhe Golemit, ndërsa nuk mungojnë edhe mbetjet e zonës së Dushkut në rrethin Lushnjë. Fusha imagjinare e plehrave është krijuar në dy anët e Urës përmbi Shkumbin, ku kalon edhe autostrada Rrogozhinë- Lushnjë. Në këtë fushë gjigante derdhjet prej mjeteve të ndryshme, deri dhe të ndërmarrjeve të pastrimit, bëhen natën dhe në orët e para të mëngjesit. Më pas aty vendoset zjarri. Tymi i shkaktuar nga djegia e mbetjeve urbane krijon një re të stërmadhe mbytëse, re e cila nga ana e saj përhapet jo vetëm përgjatë shtratit të lumit Shkumbin drejt perëndimit në fshatrat e ndërtuara në dy anët e shtratit të tij, por edhe mbi vetë Rrogozhinën, nëse frynë erë. Situata është tepër e rëndë. Banorët e kësaj zone, të cilët shkojnë për të punuar tokën, pronë të tyre anës shtratit të lumit, tregojnë se gjendja është kështu prej disa vitesh. Ata pohojnë se nga fundi i vitit 2008 filluan të duken dhe shenjat e para të derdhjes së mbeturinave urbane, sidomos të qytetit Rrogozhinë. Ndërsa më pas, bregu i lumit “u bekua” për të qenë grumbullues i tyre”. Pas vendosjes së flakëve, persona me mjete të rënda hedhin në lum mbetjet e djegura dhe të tjera, duke e mbushur ujin e lumit me pisllëqe të ndryshme e duke e kthyer atë në lum të vdekur - tha një banor. Sipas tij, të gjithë e dinë situatën, dhe askush nuk vë dorë për të ndërhyrë e ndaluar këtë masakër të paimagjinueshme.