Terror në Pezë për pak metra tokë, kushëriri i deputetit qëllon oficerin e RENEA
Tiranë- Një konflikt pronash, për pak sa nuk është shndërruar në një tragjedi në Pezë. Armand Peza, kushëriri i deputetit të Partisë Socialiste, Dashamir Peza, ka qëlluar me armë në drejtim të një fqinji të tij, efektiv policie, por fatmirësisht plumbi nuk e ka prekur atë. Kanosja me armë është regjistruar mbrëmjen e djeshme në Pezë, pak metra larg banesës së deputetit socialist, kur në një lokal që ndodhej aty pranë, pas një konflikti, i cili mësohet se vijonte prej kohësh, Armand Peza ka qëlluar me armë në drejtim të lokalit, por mësohet se objektivi i tij ishte fqinji-polic, me të cilin kishte dhe konfliktin e pronësisë. Menjëherë pas informacionit të marrë, forca të shumta të Policisë së Tiranës, por edhe ato RENEA, mbërritën në vendngjarje dhe u vunë në ndjekje të Armand Pezës, të cilin e arrestuan vetëm pak minuta më pas, së bashku me armën me të cilën kishte tentuar të vriste efektivin e policisë. Një burim i policisë në vendngjarje i tha MAPO-s se fillimisht, personat janë zënë me fjalë mes tyre. Më pas, Peza ka marrë një armë të tipit automatik dhe ka qëlluar në drejtim të lokalit, disa herë me të. Menjëherë pas kësaj, ai u largua me shpejtësi në tentativë për t’iu fshehur policisë, por arratia zgjati vetëm disa minuta, pasi efektivët e RENEA-s dhe të Policisë së Tiranës, bënë të mundur arrestimin e tij së bashku me armën. Pas arrestimit, Armand Peza është dërguar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje për disa orë nga grupi hetimor, i ngritur për këtë ngjarje. Nga ana tjetër, një grup hetuesish kanë qëndruar deri në orët e vona në Pezë, ku kanë mbledhur dëshmitë e të gjithë të pranishmëve për të dokumentuar të gjithë ngjarjen. Të pyetur nga gazeta “MAPO”, banorët e zonës bëjnë të ditur se fillimisht kanë dëgjuar debate me zë të lartë, e më pas kanë dëgjuar disa krisma automatiku. “Fillimisht dëgjuam zënka, por nuk arritëm të merrnim vesh se për çfarë bëhej fjalë, pasi siç e shihni vetë, lokali është pak larg. Vetëm pak çaste më vonë dëgjuam disa krisma. Më vonë mësuam se çfarë kishte ndodhur. Mesa dimë ne, gjithmonë mes tyre ka pasur konflikte për disa metra tokë” – tregon një prej banorëve të zonës. Ndërkohë, efektivët e policisë së kryeqytetit kanë vijuar për disa orë mbledhjen e dëshmive të banorëve të zonës, si dhe pyetjen e personave të përfshirë në këtë konflikt, për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Nga hetimet e deritanishme rezulton se i afërmi i deputetit socialist rrezikon të akuzohet për vrasje të mbetur në tentativë, ndërkohë që policia është duke marrë edhe dëshminë e kolegut për zbardhjen e plotë të ngjarjes.