I prenë veshin në djep, u hakmorr në '97
DOSJA
Agim Sefa, akuzohet se gjatë trazirave vrau djalin e njeriut që i preu veshin në kohën që ishte ende vetëm dy vjeç në djep
Gjakmarrja 35- vjeçare, i dërguar, në gjyq i dyshuari i '97
Prokuroria dërgon në gjyq 37 vjeçarin me banim në bathore, me akuzën e vrasjes për hakmarrje
TIRANË- Prokuroria e Tiranës mbylli fazën hetimore dhe dorëzoi pranë togave të zeza dosjen penale në ngarkim të të pandehurit Agim Sefa, i akuzuar se 12 vjet më parë vrau për "hakmarrje" Osman Markun në Bathore.
Ky krim erdhi pas një kalvari të gjatë mërie mes dy familjeve Sefa e Marku të rrethit të Kukësit që tashmë banojnë e jetojnë në lagjen Bathore në periferi të kryeqytetit. Përfundimi i dosjes dhe dërgimi për gjykim i të akuzuarit, konfirmohet nga burime të prokurorisë dhe Gjykatës së Shkallës së Parë.
Administrata e kësaj të fundit ka hedhur në short elektronik dosjen penale në ngarkim të 37- vjeçarit Sefa, duke caktuar si kryesues të treshes gjykuese gjyqtarin Ridvan Hado. Sipas kërkesës për gjykim, mësohet se ndaj të pandehurit Agim Sefa, janë ngritur akuzat e "Vrasje me paramendim" të kryer për motive hakmarrjeje dhe "armëmbajtjes pa leje".
Kjo pasi prokuroria pretendon se është provuar se mesditën e 27 qershorit të 1997, Sefa ka vrarë me armë zjarri në hyrje të "Kodër Kamzës" Osman Markun.
Kjo vrasje, sipas akuzës, ka fillesat e saj rreth 35 vite më parë, kur babai i viktimës, Marku, pas një mosmarrëveshjeje banale me babain e të pandehurit Sefa, ia ka prerë këtij të fundit veshin me thikë edhe pse në atë kohë ishte vetëm 2 vjeç.
Sipas dosjes penale që mban numrin 1209 dhe që ndodhet në zyrën e gjyqtarit Hado, mësohet se zbulimi i vrasjes së kryer këtu e 12 vite më parë, ka ardhur pas rihapjes së dosjes hetimore ku efektivët e policisë kanë marrë një dëshmi të re të dhënë nga njëri nga të afërmit e viktimës si dhe pas një "kurthi" të sajuar nga policia, ku i pandehuri ka pranuar krimin.
Konflikti i familjeve
Sipas kërkesës për gjykim, në mesin e viteve '70 të shekullit të kalur, në një fshat të rrethit të Kukësit, dy familjet Sefa e Marku banonin në një lagje.
Në atë kohë, i pandehuri Sefa ishte vetëm 2 vjeç ishte i vetëm në banesë kur i prenë veshin. I ati i të pandehurit asokohe nuk kishte lejuar plakun e viktimës Marku, të priste dru në njërin nga pyjet e fshatit, duke konsideruar atë vend si të shenjtë.
Babai i viktimës, i revoltuar dhe i fyer nga një veprim i tillë, për të prerë dru ishte kthyer në shtëpi ku kishte marrë një thikë në dorë dhe ishte nisur për në banesën e kryefamiljarit Sefa që ishte vetëm pak metra larg banesës së tyre.
Në oborr, babai i viktimës kishte gjetur vetëm gra dhe djalin e vogël që lëkundej në djep, të pandehurin Sefa.
Në pamundësi për t'u hakmarrë ndaj babait të të pandehurit, plaku i viktimës i pret veshin të pandehurit që po lëkundej në djep. Për këtë gjest dhe për t'iu shmangur hakmarrjes së familjes Sefa, kryepleqësia e fshatit vendosi dëbimin e familjes Marku nga fshati i rrethit të Kukësit.
Familja Marku e dëbuar nga fshati, vendoset me banim në lagjen e Bathores në kryeqytet. Me ndryshimin e sistemit politik edhe familja Sefa u largua nga fshati i Kukësit për tu vendosur në Bathore.
Pas kësaj zhvendosjeje, rikthehen mëritë dhe inatet e vjetra mes dy familjeve, ku arrin kulmin me datë 27 qershor 1997 kur i pandehuri Sefa qëllon me automatik shtetasin Osman Marku duke e lënë të vdekur në vend.
Për këtë ngjarje, shoqërohet në atë kohë Sefa, por, në mungesë të provave, lihet i lirë. Pas 12 viteve arkivim të dosjes, policia zbuloi autorin e kësaj vrasjeje duke arrestuar mesditën e 4 tetorit 2008 të pandehurin Agim Sefa.
Dy vjet më vonë, hakmarrja e familjes Marku
Më 1999, vetëm dy vjet pas vrasjes së Osman Markut nga i pandehuri Agim Sefa, ka ndodhur edhe hakmarrja. Vëllai i Agim Sefës, Qerim Sefa, është vrarë në dalje të Kamzës.
Viktima nuk kishte shumë kohë që ishte martuar dhe ditën kur u ekzekutua nga persona ende të paidentifikuar, po kthehej nga një fejesë në Fushë-Krujë. Ndërkaq, kjo ngjarje edhe sot e kësaj dite ka mbetur pa autor për policinë e kryeqyetit, duke u bërë një nga dosjet e rimarra në dorë nga policia e kryeqytetit për zbardhjen e saj.