E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet, rrezik manipulimi gjatë numërimit të votave


KQZ-ja ka vendosur dje që GNV-të të funksionojnë edhe me vetëm dy anëtarë të një spektri politik



Opozita e ka konsideruar si një bazë për të manipuluar procesin e numërimit, prandaj ka kërkuar përfaqësim të dyanshëm

Vullneti që do të shprehin shqiptarët në kutitë e votimit, më 28 qershor, rrezikon seriozisht të manipulohet nga forcat politike. Kjo pasi votat do mund të numërohen edhe në mënyrë të njëanshme nga njëri spektër politik. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur dje që të mos marrë parasysh projektudhëzimin e paraqitur nga administrata e tij dhe ka vendosur me forcën e votave të anëtarëve të djathtë, që grupet e numërimit të votave të funksionojnë edhe kur prezentë janë vetëm dy anëtarë të një spektri politik.

Debati


Para se të arrinte në këtë vendimmarrje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është përfshirë nga debate të gjata, ku të dyja palët politike të përfaqësuara në të kanë mbajtur qëndrime krejtësisht të kundërta lidhur me këtë çështje. Ka qenë përfaqësuesi demokrat në KQZ, Njazi Kosovrasti, ai që ka hapur debatin, duke kundërshtuar aktin e përgatitur nga drejtoria juridike e këtij institucioni, ku përcaktohej se grupet e numërimit të votave mund të funksiononin edhe me dy anëtarë, por kur ata ishin përfaqësues të të dy spektrave politike.

"Shtesa e kësaj pike që ka të bëjë me spektrat politikë është e tepërt. Neni 95 përcakton se grupi i numërimit funksionon të paktën me dy anëtarë dhe udhëzimi nuk mund të vendosë as më shumë dhe as më pak sesa vendos ligji", - tha Kosovrasti, duke propozuar që të hiqet. Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i përfaqësuesve socialistë, të cilët e kanë parë një përcaktim të tillë të bërë nga administrata të domosdoshëm, si një mundësi për të ruajtur balancën e procesit, dhe shmangien e manipulimeve. Madje, ata kanë propozuar që në rastin e funksionimit të GNV-së me dy anëtarë ata jo vetëm që të jenë përfaqësues të dy spektrave të ndryshëm, por ata duhet të jenë medoemos numëruesi i parë dhe sekretari.

"Unë nuk e lexoj si Kosovrasti as ligjin dhe as udhëzimin, madje unë do të propozoja që grupi i numërimit të votave të funksionoj minimalisht me dy anëtarë, ku njëri të jetë numëruesi i pari dhe njëri sekretari. Ligji bën një ndarje të qartë të punës së grupit të numërimit dhe kur flet për numëruesin e parë dhe sekretarin, ai në mënyrë laksative vëren se njëri i përket njërit spektër dhe tjetrit spektrit tjetër. Në këtë mënyrë ligji ka mbajtur një balancë mes formacioneve politike", - u shpreh përfaqësuesi socialist, Genci Gjonçaj.


Në këtë debat është përfshirë edhe kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, i cili ka mbështetur logjikën e Kosovrastit, duke theksuar se ligjvënësi në kod ka përcaktuar jo pa qëllim që GNV-të të funksionojnë me dy anëtarë, pa bërë specifikime të mëtejshme, dhe kjo, sipas tij, me qëllimin e vetëm që të mos bllokohej procesi në rastet kur njëra palë tërhiqet nga procesi për arsye të ndryshme. "Ligji, kur përcakton se komisioni funksionon minimalisht me dy anëtarë, do të thotë se kur njëra palë nuk do të bëjë detyrën dhe tërhiqet, atëherë komisioni funksionon sërish.


Ky është qëllimi, sepse normalisht, grupi funksionon me katër anëtarë. Në rast se njëra nga palët do të bllokojë numërimin dhe tërhiqet nga procesi, sipas kërkesës suaj, do të thotë që ne të ndërpresim numërimin. Prandaj ligji e ka parashikuar, që një diçka e tillë të mos bllokojë procesin", - tha Ristani, i cili në përfundim është detyruar ta gjejë zgjidhjen duke e hedhur në votë propozimin e Kosovrastit për ta hequr nga udhëzimi specifikimin, "të spektrave të ndryshëm politikë".

Materialet


Një çështje tjetër që ka ngjallur jo pak debate gjatë mbledhjes së djeshme ka qenë edhe neni 4 i këtij udhëzimi, ku ishte parashikuar që grupet e marrjes së materialeve zgjedhore në dorëzim mund t'i pranonin ato edhe kur nuk ishin konform ligjit, pra jashtë kutive të votimit apo kutive të materialeve. Një klauzolë e tillë e vendosur në pikën e fundit të këtij neni, është kundërshtuar fort nga përfaqësuesit socialistë dhe ai i LSI-së, të cilët e kanë argumentuar këtë përcaktim si një nxitje që u bëhet anëtarëve të qendrave të votimit që të paraqesin materiale zgjedhore edhe jashtë normave ligjore.


Nëpërmjet këtij akti legjitimoni edhe rastin për të prurë materiale zgjedhore jashtë kutisë së votimit", - tha Gjonçaj. Por, sipas Kosovrastit, në këtë mënyrë ne krijojmë mundësinë ligjore që edhe kutitë apo materialet e dëmtuara të mund të merren në dorëzim nga KZAZ-të, pasi në të kundërt do të krijohej një hendek që do të linte pa zgjidhje, atë se çdo të bëhej në këto raste. Në pamundësi për të gjetur një zgjidhje konsensuale për këtë rast, KQZ-ja është detyruar të ndërpresë diskutimin për ta vazhduar atë në një mbledhje tjetër.

Neni 95 i Kodit Zgjedhor

3. Në rast se ndonjë nga subjektet zgjedhore nuk paraqet propozime brenda afatit kohor të përcaktuar në pikën 1 të këtij neni, KZAZ-ja cakton me short anëtarët zëvendësues midis anëtarëve të KQV-ve që i përkasin këtij subjekti zgjedhor në rang zone zgjedhore. Në rast se nuk është i mundur plotësimi i numrit të anëtarëve të grupit të numërimit të votave, ai funksionon me jo më pak se dy anëtarë.



Kamerat, në rast defekti, fletët e votimit do t'u ekspozohen vëzhguesve


Në rast se gjatë procesit të numërimit të votave, sistemi i monitorimit me kamera, për arsye të ndryshme, nuk do të funksionojë, atëherë ky proces nuk do të ndërpritet, por do të vazhdojë normalisht. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka parë të arsyeshme që të marrë masat e duhura në rastet avarive të ndryshme që mund të lindin në sistemin e filmimit dhe transmetimit gjatë procesit të numërimit të votave. Kështu, nëpërmjet një udhëzimi të veçantë, ky komision përcakton si detyrim për grupet e numërimit të votave që të vazhdojnë detyrën e tyre edhe kur në sistem ka probleme. Kështu, përcaktohet se në rastet kur sistemi i teknologjisë mbështetëse të numërimit të votave, ka defekt në një apo më shumë tavolina numërimi, nuk pengohet procesi i numërimit, por KZAZ-ja njofton menjëherë ndihmësit teknikë dhe KQZ-në për problemin e hasur dhe GNV-ja vazhdon punën normalisht, por duke mos i ekspozuar fletët në kamera, por kundrejt vëzhguesve.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›