E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Xhindit, thellohen hetimet për vrasjen e vitit 1997

Tri pistat e grupit hetimor, të lidhura ngushtësisht me njëra-tjetrën

Një muaj pas vrasjes, ende asnjë pistë zyrtare dhe emër autori

* * * *

Një muaj pas ekzekutimit në prag të shtëpisë, grupi hetimor përqendron hetimet në tri pista kryesore, duke përjashtuar çdo dyshim se vrasja e deputetit të PS-së, Fatmir Xhindi, të ketë ndodhur për konflikte pronësie. Një konflikt i hetuar qysh në momentet e para është një ndër pistat kryesore, ku hetimet janë përqendruar pas vrasjes, dhe që u hodhën edhe dyshime se cili mund të ishte autori i mundshëm. Burime jozyrtare, por të besueshme nga grupi hetimor, bëjnë të ditur se ka dyshime që vrasja të ketë lidhje me të tria pistat ku janë përqendruar së fundmi hetimet. Sipas burimeve, konflikti i vjetër i vitit 1997 ka pasur një mëri të vjetër mes dy familjeve Xhindi dhe asaj ku pati një komisioner të vdekur, pasi dyshohet që familjarët të kenë menduar për një influencë nga ana e deputetit në dhënien e vendimit të gjykatës për autorin e krimit. Por, ndërkohë vazhdojnë hetimet edhe për pistën e tretë, atë të vrasjes për shkak të cilësive të veçanta, duke qenë se është një vepër penale që hetohet nga Krimet e Rënda. Kjo pistë, sipas burime nga grupi hetimor, ka lidhje me dy pistat e para, pasi bëhet fjalë për vrasjen e një komisioneri gjatë zgjedhjeve në Kurjan, ndaj dhe po hetohet ekzekutimi për shkak të cilësive të veçanta të deputetit. Megjithatë, sipas burimeve, ende nuk ka një pistë të vetme që të çon automatikisht tek autori i dyshuar.

Hetimi

Përgjatë këtij muaji, hetimet për zbardhjen e vrasjes së deputetit Fatmir Xhindi kanë pasur një intensitet të madh, duke ngritur dhe përjashtuar pista hetimi. Burime zyrtare shprehen se hetimet vazhdojnë dhe nuk ka një emër konkret autori, ndërkohë që para pak ditësh u shtua edhe një pistë e re hetimi. Deri tani, sipas burimeve, pistave të përjashtuara u është shtuar edhe ajo e vrasjes për shkak të konflikteve të pronësisë. Përditë shoqërohen të afërm, të njohur, shok e miq të viktimës, por edhe persona me të cilët ka pasur konflikte apo debate jo vetëm ditët para ngjarjes, por edhe vite më parë. Gjithashtu, specialistët e hetimit kanë këqyrur me imtësi çdo dokumentacion të sekuestruar në ZRPP-në e Fierit dhe lejet e ndërtimit në këtë bashki, si dhe të tjera dokumente të aktiviteteve në pronësi të deputetit të PS-së. Gjithashtu, grupi hetimor nuk ka lënë jashtë sferës hetimor asnjë konflikt të mëparshëm të deputetit me persona të tjerë, qofshin ato edhe konflikte mjaft të vjetra. Grupi hetimor në bashkëpunim edhe me agjentët e SHISH-it po vazhdon hetimet, verifikimet dhe përpunimet e të dhënave, për të shkuar në pistën konkrete dhe në emrin e autorit. Por, e vetmja gjë që kanë të saktë për momentin është skema e krimit, si ndodhi dhe mënyrën se si u largua autori apo autorët e vrasjes, ndërsa pistat shtohen apo përjashtohen nga njëra javë në tjetrën. Krimi i rëndë ka ndodhur më 2 maj të këtij viti, në momentin që deputeti Fatmir Xhindi ka qenë duke u kthyer në banesë nga fshati Kurjan i Roskovecit. Sapo ka shkuar në oborrin e shtëpisë dhe do parkonte makinën, deputeti është qëlluar në largësi dhe më pas shumë pranë nga ekzekutori. Për zbardhjen e këtij krimi, përmes informacioneve të dhëna nga personat që kanë dijeni, Policia e Shtetit ka vënë në dispozicion 250 mijë euro.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›