I presin gishtat për paratë e vizës
Një detyrim prej 1000 eurosh, të cilat i kishte marrë duke premtuar nxjerrjen e një vize, i ka kushtuar shtrenjtë një 41-vjeçari nga Tirana.Pasi dështoi me nxjerrjen e vizës dhe refuzoi kthimin e parave, borxhlinjtë i kanë prerë gishtat e dorës në shenjë presioni. Ngjarja ka ndodhur tri ditë më parë në afërsi të Fakultetit Juridik, në lokalin “Poko-Loko”, kur një 4- vjeçar është marrë peng nga pesë të rinj, mes të cilëve një polic i patrullës së përgjithshme të kryeqytetit. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se ka vënë në pranga pesë pengmarrësit, ndërsa është konstatuar se veç dhunës fizike dhe psikologjike, pengut i janë prerë gishtat e dorës, në formë presioni për të kthyer 1000 eurot që i kishte marrë njërit prej të arrestuarve. Burime nga hetimi pohojnë se paratë i ishin paguar sekserit 41-vjeçar, në këmbim të një vize “Schengen”. Por pasi kishin kaluar disa muaj dhe viza nuk po dilte, personi që i kishte paguar paratë ia ka kërkuar ato sekserit, por ai ka refuzuar t’i kthente duke pretenduar se i duheshin edhe pak kohë sa t’i nxirrte vizën. Pasditen e së enjtes, polici i kryeqytetit Joan Jorgji Buli 26 vjeç, së bashku me të vëllanë, Aleksandër Buli 24 vjeç dhe të njohurit e tyre Ilir Trini 35 vjeç; Andi Bulku 25 vjeç dhe Drini Lato, 26- vjeç kanë futur pengun 41-vjeçar, inicialet e të cilit janë E.E. brenda lokalit “Poko-Loko”. Aty i kanë kërkuar rikthimin e borxhit, duke i bërë presion psikologjik, por që kanë hasur në kundërshtimin e borxhliut, i cili ka refuzuar t’iu kthente 1000 eurot. Pas kësaj, pesë të arrestuarit: vëllezërit kryeqytetas Joan dhe Aleksandër Buli; Ilir Trini, nga Laçi; Andi Bulku nga Tirana dhe Drini Lato me origjinë nga Saranda, në bashkëpunim me njëri - tjetrin i kanë hequr lirinë në mënyrë të paligjshme, 41 vjeçarit kryeqytetas me iniciale E.E. Sipas policisë, pesë pengmarrësit e kanë rrëmbyer, torturuar dhe më pas prerë gishtat e dorës, duke e goditur pengun në pjesë të ndryshme të trupit, ndërsa i kërkonin rikthimin e shumës prej 1000 euro, që ai i kishte marrë njërit prej pengmarrësve. Pas torturave dhe prerjes së gishtave të dorës, pengu është liruar, pasi u ka premtuar pengmarrësve rikthimin e 1000 eurove. Pas kësaj, policia ka rënë në dijeni të pengmarrjes dhe torturave ndaj 41-vjeçarit, duke vënë në pranga pesë autorët e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë, të cilët janë kapur falë informacioneve të poseduara për ta dhe në sajë të realizimit të metodave speciale të hetimit. Policia pohoi dje zyrtarisht, se nga strukturat e hetimit të krimeve u kryen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale në ngarkim të të arrestuarve, ndërsa në cilësinë e provave materiale u sekuestruan pistoleta e policit Joan Buli. fa.ma.
Të arrestuarit
Aleksandër Jorgji Buli,
24 vjeç lindur e banues në Tiranë.
Ilir Preng Trini,
35 vjeç, lindur në Laç e banues në Tiranë.
Joan Jorgji Buli,
26 vjeç, nga Tirana, efektiv policie.
Andi Haxhi Bulku,
25 vjeç, lindur e banues në Tiranë.
Drini Astrit Lato,
26- vjeç, lindur në Sarandë e banues në Tiranë.
Akuzat ndaj pengmarrësve
TIRANE - Policia e kryeqytetit pohoi dje se ka përcjellë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda dosjen penale të përgatitur pas hetimeve paraprake në ngarkim të pesë të arrestuarve Joan dhe Aleksandër Buli, Ilir Trini, Andi Bulku dhe Drini Lato, ndaj të cilëve janë ngritur akuzat: “Heqje e paligjshme e lirisë” dhe “torturë”, të kryera në bashkëpunim, ndaj pengut 41-vjeçar, E.E. Aktualisht pesë të arrestuarit ndodhen në qelitë e Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku pritet që të merren në pyetje nga përfaqësuesit e organit të akuzës, rreth ngjarjes së rëndë. Gjatë paradites së të hënës pritet që pesë të arrestuarit të dërgohen në Gjykatën e Krimeve të Rënda për masë sigurie.