Përmbyset zetori me krushq, vdesin në greminë babë e bir
Përmbyset zetori në rrugën me akull, vdesin babë e bir. Ata ishin nisur për te krushqit, për të çuar rrobat e nuses, pasi viktima Sadri Dema martonte djalin e madh. Por, rruga e vështirë dhe me ngricë shkaktoi daljen e mjetit, duke rënë në greminë. Kryefamiljari 53-vjeçar nga Bardhoci, bashkë me djalin tjetër, 18-vjeçarin Qemal Dema humbën jetën, ndërsa u plagos vajza e tij 23-vjeçare, Lulja. Kjo e fundit, pas marrjes së ndihmës së parë në spitalin e qytetit të Kukësit, është jashtë rrezikut për jetën. Burime të policisë së shtetit thanë se aksidenti ndodhi në fshatin Shtrezë të komunës Shishtavec, 40 km larg qytetit të Kukësit. Terrenit të vështirë i është shtuar dhe ngrica e akulli, krijuar nga bora e rënë ditët e fundit, çka bëri që mjeti të rrëshqasë për në humnerë. Në kohën kur policia ka shkuar në vendngjarje, dy të aksidentuarit kishin ndërruar jetë për shkak të përplasjes së fortë. Në spital është sjellë vajza e plagosur dhe më pas edhe trupat e pajetë të babë e bir. Rrugëtimi është i detyruar me mjete të tilla, pasi për veturat është tejet i vështirë. Viktimat po shkonin tek krushqit për të dërguar rrobat e nuses, pasi të dielën kishin dasmë në familjen e tyre. Ata kishin udhëtuar për mëse dy orë nga fshati i tyre Bradhoc derisa sa kanë mbërritur në fshatin e krushqve.
Si në komunën Shishtavec ku ndodhi aksidenti dhe në shumë komuna të tjera të Kukësit ka pasur probleme nga reshjet e dëborës, duke krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor në rrugët nacionale dhe rurale. Paradite janë bllokuar komunat Arrën, Zapod dhe Kalis, zhbllokimi i të cilave u bë vetëm në orët e pasdites. Vështirësi ka pasur dhe në rrugën Kukës-Qafë Mali-Tiranë, sidomos në segmentin Qafë Shllak -Fushë Arrëz. I bllokuar plotësisht është dhe shtegu mbi tunelin e Kalimashit, kështu që të gjitha automjetet janë detyruar t'i bien nga rruga e vjetër.