Vrasja e Mirit të Xhikes, rigjykim Tufës
TIRANE – Mbërrin në Gjykatën e Tiranës dosja në ngarkim të Lavdërim Tufës, të akuzuar për vrasjen e Fatmir Ramës, të njohur dhe si Miri i Xhikës në vitin 2003. Togat e zeza të gjykatës së kryeqytetit do të shqyrtojnë edhe një herë nga “zero” dosjen e Tufës. Dosja në ngarkim të Tufës depozitohet në këtë gjykatë pas një verdikti të Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda në maj të këtij viti, që shpalli moskompetencë për gjykimin e çështjes ndaj Tufës dhe e dërgoi dosjen në gjykatën e kryeqytetit. Shorti elektronik i Gjykatës së Tiranës ka përzgjedhur gjyqtarin Albert Meça si shqyrtuesin e saj. Ditët në vazhdim pritet të caktohet data e seancës së parë dhe të fillojë shqyrtimi për këtë dosje. Në dosjen e regjistruar pak ditë më parë në gjykatën e kryeqytetit, Lavdërim Tufa akuzohet si autor i ngjarjes së 29 marsit 2003 te kompleksi “Kartodrom” në Lundër të Tiranës, ku pas breshërive automatike u vranë Fatmir Rama, apo Miri i Xhikes, Julian Durishti dhe Kristaq Cami. Në të njëjtën tavolinë me viktimat, në momentin e ngjarjes ishte edhe Ylli Kelmendi, i cili nuk u lëndua. Gjykata për Krimet e Rënda e deklaroi fajtor për këtë ngjarje Tufën dhe e dënoi atë më burgim të përjetshëm në shtator të vitit 2006. Apeli i Krimeve të Rënda la në fuqi këtë vendim. Pas rekursit në Gjykatën e Lartë, një Kolegj Penal i kësaj gjykate vendosi prishjen e vendimit dhe dërgimin e çështjes për rigjykim në Apelin për Krimet e Rënda. Në maj të këtij viti, një pesëshe gjykuese e Gjykatës së Apeli shpalli moskompetencë në shqyrtimin e kësaj dosjeje. Sipas këtij, vendimi dosja iu dërgua për rigjykim në Gjykatën së Shkallës së Parë të Tiranës. ar.ba