E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pras, Presh, Praspresh

Edmond Tupja 

Të shumta janë kompanitë që operojnë sot në tregun shqiptar për të mbuluar nevojat e popullsisë, por nga treqind e tridhjetë e tri që mbulojnë sektorin e qelizorëve, vetëm tri janë më të suksesshme: PRAS, PRESH dhe PRASPRESH. Në gjithë kanalet televizive, si edhe në stacionet e ndryshme radiofonike, pa folur sigurisht për mediat e shkruara, publicitet i madh u bëhet këtyre kompanive dhe me të drejtë: qelizarët sot janë të pranishëm në çdo familje shqiptare, madje është shenjë promovimi social kur ke disa qelizarë dhe i nxjerr e i rreshton në tryezë, pa llogaritur atë që ke në brez. Po të kishte qenë gjallë Uilljami ndërkombëtar (e kam fjalën për Shekspirin), me siguri që Hamleti i tij anglez do të kishte thënë: “Të kesh apo të mos kesh qelizar, kjo është çështja”, të paktën kështu do ta kishte shqipëruar Fan Noli ynë kombëtar, po të kishte pasur edhe ai një qelizar.
Natyrisht, jam kureshtar të di se cila nga tri kompanitë e sapopërmendura ka numrin më të madh të pajtimtarëve, por mjerisht, në këtë drejtim, nuk disponoj statistika të freskëta. Në fakt, tre miqtë e mi të vjetër, Aqif Qifa, Françesk Armadhi dhe Vangjel Lezeti, kanë bërë disa minianketa e mikrosondazhe lidhur me këtë, por ata nuk mund të jenë krejt objektivë sepse i pari është pajtuar te PRAS-i, i dyti te PRESH-i dhe i treti te PRASPRESH-i. Sidoqoftë, shqiptarët po dalldisin pas qelizarëve, veçanërisht në këtë prag festash të fundvitit: secila nga kompanitë në fjalë pozon, supozon, propozon e organizon hedhje shortesh për dhurata ose shuma marramendëse parash atyre që, të dehur nga publiciteti, futen në lojë e konsumojnë ethshëm produkte e nënprodukte të kompanive joshëse deri në marramendje. Besomë, i dashur lexues që di të lëçitësh midis rreshtave, se të panumërt janë bashkatdhetarët tanë që futen rrëmbimthi në këtë lojë, shumica të bindur që do të fitojnë, pakica të bindur që do të fitojnë më tepër e më shpejt se shumica, por në fillim të janarit do të shohim se sa do të mbeten me gisht në gojë; gjithsesi, askush humbjen nuk do ta kundërshtojë sepse futja në lojë bëhet mbi baza vullnetare, ndonëse me para në dorë, sepse tri kompanitë PRAS, PRESH e PRASPRESH nuk janë si kutitë e votimit të 28 qershorit që ka fort të ngjarë të mos hapen ndonjëherë, me gjithë kryeneçësinë e dëshpëruar të dopiokryetarit Rama, i cili, me shumë gjasë, disponon disa qelizarë me vulën e PRAS-it, PRESH-it apo PRASPRESH-it, pak rëndësi ka.
Është, pra, e qartë se shqiptarët ndihen qelizarisht të lumtur, sidomos të rinjtë, sepse qelizari ua mbush ditën e natën, javën e muajin, vitin e shekullin, ndonëse ua zbraz xhepin pa rënë në sy, por vetëm në vesh e në xhep. Si kështu? Thjesht, fare: Tarifat e PRAS-it, PRESH-it dhe PRASPRESH-it janë nga më të shtrenjtat, në mos më të shtrenjtat në Evropë, por, ç’rëndësi ka, shqiptarit i pëlqen të tregohet i pasur edhe kur është i varfër, i pari edhe kur është i fundit, megjithatë, është mirë të jesh i fundit, sepse, siç thotë Bibla, të fundit do të jenë të parët, pra, është momenti yt për të jetuar fuqimisht, për të sfiduar vetveten dhe tjetrin duke u futur në komunitetin e pajtimtarëve të tri kompanive të nderuara shumëqelizore. Dhe të gjithë këta pajtimtarë fatlumë fluturojnë me PRAS-in, PRESH-in ose PRASPRESH-in! Zjarrmi e jashtëzakonshme! Dalldi e dallueshme! Ekstazë e eksportueshme! Gjatë këtij fluturimi, çdo qelizë e trurit dhe e trupit të shqiptarëve rrezaton orgazëm shpirtërore, lumturi parajsore, çka dëshmohet, ndër të tjera, edhe nga fakti i pamohueshëm që fjala “shqiptar” rimon, shkon kaq bukur me fjalën “qelizar” dhe të dyja së bashku me fjalën “ar”! Për këtë arsye, në mbështetje  të kompanive PRAS, PRESH e PRASPRESH, pajtimtar i njërës prej të cilave jam edhe vetë, indinjohem qelizarisht sa herë e hap “Fjalorin e shqipes së sotme” (Tiranë, 2002) te fjala “presh”, ku autorët fyejnë kompaninë PRESH, pra, edhe dy të tjerat, PRAS e PRASPRESH, duke përdorur shprehje të tilla të rënda si “është bërë presh i zier”, “e ha preshin nga bishti”, “humb në vaj e fitoj në presh”, “e kap me presh në dorë (me duar në presh)” etj., etj., ndërkohë që nuk figuron fare në fjalor shprehja e madhërishme “fluturoj me presh”, që ilustron, me një vërtetësi mallëngjyese historikisht të pakundërshtueshme, realitetin ndërlidhës që po përjeton populli shqiptar falë kompanive PRAS, PRESH e PRASPRESH!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›