Shkojnë bashkë
Misioni i BE-së ka bërë të ditur hapat që do të ndërmarrë sot për vendosjen e kontrollit doganor në kufirin verior me Serbinë.
EULEX do të kryejë punët policore dhe doganore në portat 1 dhe 31, Jarinje dhe Bërnjak. Kjo do të bëhet në përputhje me mandatin ekzekutiv që ka misioni.
Në fakt, kjo do të thotë që EULEX-i do të ndihmojë zbatimin e marrëveshjes për vula doganore të arritur më 2 shtator në Bruksel, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja, thuhet në kumtesën e Misionit Europian.
Marrëveshja për vulat doganore ishte pjesa e fundit që mungonte për të nisur një sistem të mirëfilltë doganor, të cilin ne edhe e synojmë. Kosova nën administrim të UNMIK-ut, që nga viti 2000 është bërë një zonë doganore dhe është trajtuar nga BE-ja gjithmonë si e tillë.
Marrëveshja, e cila nuk ka asgjë të bëjë me statusin, është për të ndërmarrë një hap të madh përpara në sundimin e ligjit në Kosovë, e që është në interes të të gjithë qytetarëve.
Mungesa e funksionimit të sistemit doganor në të gjithë territorin e Kosovës ka lejuar që aktivitetet ilegale të zhvillohet lirshëm veçanërisht, por jo ekskluzivisht në veri të Kosovës.
“Tani do të kemi mundësi të merremi shumë më mirë me këtë çështje. Ky është një hap i rëndësishëm dhe të gjithë do jenë përfitues. Operacionet doganore në porta do të kryhen nga doganierët e EULEX-it në prani të doganierëve të Kosovës”, thuhet në kumtesë.
EULEX-i fton të gjithë qytetarët të përkrahin këto masa për të përmirësuar sundimin e ligjit për të gjithë.
Detajet e masave do përfshijnë: Pikë kalimi në Bërnjak do të jetë e hapur për trafik komercial dhe personal, si dhe për mallra komerciale dhe jo-komerciale. Importet e mallrave komerciale nëpërmjet pikës në Bërnjak duhet të zhdoganohen në terminalin doganor në jug të Mitrovicës.
Derisa të instalohet infrastruktura e duhur në Jarinjë, ky pikëkalim do të jetë i hapur vetëm për mallra jo-komerciale dhe trafik personal.
Të gjitha mallrat komerciale që i nënshtrohen akcizës si alkooli, cigaret dhe karburantet duhet të zhdoganohen nëpër pikëkalimin e Merdarës ose në ndonjë pikë tjetër të autorizuar për trafik tregtar.
NATO nuk lejon dhunë
Dymbëdhjetë orë para hyrjes në fuqi të planit të Qeverisë për vendosjen e shërbimeve doganore në veri, Sekretari i NATO’s, Anders Fogh Rasmussen ka dhënë porosi të qartë në Prishtinë se KFOR’i nuk do të lejojë të rrezikohet paqja, siguria dhe stabiliteti i Kosovës.
Ai ka thënë se mandati i KFOR’it është që të reagojë nëse kërcënohet paqja.
Pas takimit që ka pasur me Kryeministrin Hashim Thaçi, Rasmussen ka deklaruar se kthim prapa nuk do të ketë, derisa ka bërë thirrje për veprime të kujdesshme nga të gjitha palët.
“Çfarëdo që ndodh këtu është e rëndësishme për ne dhe për stabilitetin e krejt rajonit. U bëj thirrje të gjithë udhëheqësve dhe të gjitha komuniteteve këtu, të vazhdojnë nxitjen e stabilitetit dhe dialogut. Sepse askush nuk do të përfitojë nëse kthehet në tensionet e së kaluarës”, ka thënë Rasmussen në një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin.
“Veprimet e njëanshme janë të padobishme, kështu që unë kërkoj nga të gjitha komunitetet dhe të gjithë liderët të tregojnë kujdesin më të madh në veprimet e tyre në ditët e ardhshme, në mënyrë që ata të krijojnë një të ardhme më të sigurt dhe jo të ardhme shumë më të paqëndrueshme”, ka shtuar ai.
Ai ka dhënë mesazhe të qarta për Prishtinën dhe Beogradin, kur ka kërkuar që problemet të zgjidhen me dialog e jo përmes konfrontimeve.
“Më lejoni të jem shumë i qartë, nuk mund të ketë kthim prapa. NATO ka kaluar 12 vjet duke ofruar përkrahje për stabilitet e siguri. Ne nuk do të lejojmë që këto arritje t’i vëmë në rrezik dhe për këtë misioni i KFOR-it është të ruajë një mjedis të qetë e të sigurt dhe do të vazhdojë të bëjë kështu në mënyrë të vendosur, me kujdes”, ka deklaruar Rasmussen.
Por, Shefi i Qeverisë, Hashim Thaçi është zotuar para shefi të NATO’s për përmbushjen e obligimeve ndërkombëtare dhe për vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të Kosovës.
Megjithëkëtë, Rasmussen ka thënë se rruga përpara për Kosovën dhe Serbinë është nëpërmjet dialogut dhe konsultimeve.
“Suksesi i këtij procesi është i rëndësishëm për të ardhmen e Kosovës dhe të rajonit si tërësi”, ka thënë Shefi i NATO’s.
I pyetur se a mund të përdoren armët nëse rrezikohet jeta e ushtarëve të NATO’s, Rasmussen ka thënë se në rast nevoje, KFOR’i do të veprojë në vetëmbrojte.
“Është mandati i KFOR-it të sigurojë një mjedis të qetë dhe të sigurt, që gjithashtu do të thotë se KFOR-i do të veprojë nëse ky mjedis i sigurisë vihet në rrezik. Natyrisht, KFOR-i do të veprojë në vetëmbrojtje”, ka deklaruar ai.
Në anën tjetër, Kryeministri Hashim Thaçi ka përsëritur se plani i Qeverisë për të shkuar në veri do të zbatohet në koordinim me EULEX’in dhe KFOR’in.
Por, a do të ketë veprime sikur të 25 korrikut?
Në këtë pikë, Thaçi premton koordinim të plotë me ndërkombëtarët.
“Ju siguroj se të gjitha angazhimet tona do të jenë të përbashkëta, do të jenë të koordinuara”, ka thënë ai.
Dhe pastaj ka sqaruar planin për veriun, i cili pritet të realizohet të premten.
“Plani operacional hyn në fuqi më 16 shtator”, ka shtuar Kryeministri.
“Dëshiroj të theksoj edhe një herë se në veri ende nuk drejtësi, nuk ka rend dhe ligj. Ne nuk do të zmbrapsemi nga strukturat kriminale dhe ilegale që mbajnë peng rreth 40 mijë qytetarë serbë në veri. Angazhimet tona janë që t`u ofrojmë shërbim të gjithë qytetarëve. Të lirohen nga kjo panik, frikë dhe kërcënim i strukturave kriminale në mënyrë që atje të ketë rend dhe ligj, të ketë jetë demokratike, të ketë integrim në institucionet e Kosovës. qytetarët të zgjedhin njerëzit e tyre për t`i udhëhequr, në mënyrë që ne të investojmë në të gjitha aspektet, të ndryshojmë jetën për të mirë”, ka premtuar Thaçi.
Shefi i Ekzekutivit ka thënë se ka besim të plotë se i gjithë plani operacional, që është hartuar nga Qeveria e Kosovës, i “konsultuar dhe mbështetur nga të gjithë faktorët relevantë, do të zbatohet në përpikëri”.
“Natyrisht se do të ketë njerëz të pakënaqur, por pengesat fizike janë shumë më të dobëta sesa vlerat që i përfaqësojmë si institucione të Kosovës, autoritetet evropiane dhe trupat e NATO’s”, ka deklaruar ai.
Megjithëkëtë, Shefi i NATO’së, Anders Fogh Rasmussen nuk ka dashur të komentojë planin operativ të Qeverisë së Kosovës e as të NATO’s, por ka dhënë premtime për përmbushjen e mandatit të Aleancës.
“Unë nuk do të komentoj mbi hollësitë operacionale, por sigurisht që është pjesë e mandatit të KFOR-it të sigurojë lëvizjen e lirë të njerëzve dhe për të siguruar lëvizjen e lirë të trupave të KFOR-it nëse është e nevojshme”, ka thënë ai.
Edhe Kryeministri Thaçi nuk ka komentuar shumë detajet e planit, por ka dhënë zotime se veprimet e Qeverisë nuk janë të drejtuara ndaj qytetarëve të asnjë komuniteti.
“Angazhimet tona janë për t`i fituar zemrat e njerëzve. Të jemi afër tyre, t`u shërbejmë të gjithë qytetarëve të vendit. I ftoj të gjithë qytetarët, edhe të komunitetit që jetojnë në veri, që të jenë të bindur se të gjitha përkushtimet tona janë në interesin e të gjithë qytetarëve. Dhe ne jemi të zgjedhur që t’u shërbejmë të gjithëve dhe do të jem në krye të obligimeve kushtetuese dhe ligjore”, ka thënë Thaçi.
Koha për zbatim
Kryeministri Hashim Thaçi e ka mbledhur të gjithë ministrat e kabinetit qeveritar, ku i ka informuar për zbatimin e planit për t`i dërguar policinë dhe doganierët në pikat kufitare 1 dhe 31.
Ai ka thënë se ka ardhur koha për zbatimin e planit të Qeverisë, i cili është koordinuar me ndërkombëtarët.
“Tani ka ardhur koha që ky plan të zbatohet. Ky plan është i Qeverisë së Kosovës, që është konsultuar dhe mbështetur edhe nga EULEX-i dhe KFOR-i. Plani është koordinuar në plotëni me të gjithë faktorët relevantë ndërkombëtarë në Kosovë”, ka thënë kryeministri Thaçi.
“Do të vazhdojmë të kemi bashkëpunim të ngushtë edhe me NATO në angazhimet tona në implementimin e plotë të këtij plani operacional”, ka shtuar ai.
Shefi i Qeverisë i ka mbrojtur veprimet e institucioneve të Kosovës për të vendosur rendin dhe ligjin në tërë territorin.
“Të gjitha veprimet e Qeverisë së Republikës së Kosovës janë tërësisht kushtetuese, ligjore dhe të koordinuara me bashkësinë ndërkombëtare. Ato janë në interes të qytetarëve dhe synojnë vendosjen e rendit dhe ligjit si bazë për ndërtimin e çdo shoqërie demokratike”, ka deklaruar ai.
AAK mbështet Planin
Edhe partia opozitare AAK e ka përkrahur aksionin e Qeverisë, të mbështetur nga EULEX’i dhe KFOR’i për të shtrirë autoritetin ligjor edhe në veri të Kosovës.
Kjo parti opozitare i inkurajon institucionet vendore dhe ndërkombëtarë për vendosmërinë e treguar për të dërguar policët dhe doganierët në pikat doganore 1 dhe 31.
“Kryesia e AAK-së inkurajon institucionet e Republikës së Kosovës, sikurse edhe mekanizmat ndërkombëtarë në Kosovë, KFOR-in dhe EULEX-in, që me kujdes dhe me vendosmëri të realizojnë përmbushjen e qëllimit legjitim dhe demokratik të vendosjes së oficerëve policorë dhe doganorë në vendkalimet kufitare 1 dhe 31”, thuhet në deklaratën e partisë së Ramush Haradinajt.
Sipas AAK’së, vendosja e rendit dhe ligjit në veri është në interes të qytetarëve të Kosovës dhe të funksionimit të shtetit kushtetues dhe ligjor në tërë territorin.
Quint mbështet Qeverinë
Ambasadorët e Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë takuar me Kryeministrin Hashim Thaçi të enjten paradite për të biseduar lidhur me zbatimin e procedurave të reja doganore, që fillojnë më 16 shtator.
Në një komunikatë të lëshuar nga Ambasada e SHBA’ve thuhet se ambasadorët shprehën mirënjohjen e tyre për mënyrën se si Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar me partnerët e saj ndërkombëtarë, në veçanti me KFOR-in dhe EULEX-in, gjatë përgatitjeve për këtë hap të rëndësishëm për Kosovën.
Ambasadorët kanë nxitur Qeverinë që të vazhdojë këtë bashkëpunim për të konsoliduar autoritetin e Kosovës në porta gradualisht dhe qetësisht gjatë një periudhe kalimtare.
Po ashtu, ata kanë mirëpritur dhe mbështetur deklaratat e dhëna dje nga Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Fernando Gentilini dhe Shefi i misionit të EULEX-it, Xavier Bout de Marnhac dhe shprehën mbështetjen e tyre për pritjet se tash mund të hiqen embargot për tregti ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, duke hapur shtegun për përparim të mëtejshëm në dialogun e lehtësuar nga BE-ja.
Ambasadorët përsëritën mbështetjen e qeverive të tyre për integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës, përfshirë edhe në veri, duke shtuar po ashtu se ne duhet të punojmë së bashku për të shpejtuar përpjekjet për të rivendosur sundimin e ligjit edhe në pjesën tjetër të veriut.
Ata kanë shprehur mirënjohjen për përkushtimin e Kryeministrit për të siguruar që të gjithë qytetarët e Kosovës përfitojnë në mënyrë të barabartë nga sundimi i ligjit dhe mirëpritën regjimin e ri doganor si një hap pozitiv në këtë drejtim.
Ambasadorët theksuan se çelësi i suksesit i të gjitha këtyre përpjekjeve ishte këshillimi dhe marrëveshja në mes të qeverisë dhe partnerëve të saj ndërkombëtarë.