E Shtunë, 31 Tetor 2026

I pret damarët e qafën gruas shtatzënë

24/05/2009  Në prani të fëmijëve. Shpëton nga të qarat e vajzës 5 vjeç, të cilën i ati tentoi ta vriste edhe atë

Arrestohet 44-vjeçari Elmaz Zotaj. Akuzonte të shoqen në gjendje të dehur për 15 mijë lekë

FIER- Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në qytetin e Fierit. Elmaz Zotaj, 44 vjeç, banues në lagjen “Sheq i madh” në vendin e quajtur “Vija e ngjalës” në Fier ka tentuar të vrasë me thikë duke i prerë damarët së shoqes së tij. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 17 e 30 minuta të ditës së djeshme në familjen Zotaj ku kryefamiljari i saj Elmazi 44 vjeç banues në Fier ka tentuar të vrasë me thikë duke i prerë damarët e duarve dhe plagosur në fyt të shoqen e tij Silvana Zotaj, 40 vjeçe, nënë e 2 fëmijëve dhe shtatzënë me fëmijën e tretë. Ngjarja e rëndë ka pasur zanafillën e 3 ditëve më parë, kur Elmazi i papunë kërkonte me ngulm 150 mijë lek të vjetra, të cilat pretendonte se ia kishte fshehur e shoqja dhe nuk ia jepte. Tre ditë më parë ai ka marrë një sëpatë dhe pasi ka dëmtuar të gjitha orenditë shtëpiake, ka tentuar të vrasë edhe gruan e tij, por nuk e ka çuar deri në fund aktin barbar, pasi gruaja ka klithur dhe i kanë ardhur për ndihmë njerëzit e burrit. Gruaja ka bërë denoncim në policinë e Fierit dhe pak orë më vonë e ka tërhequr këtë denoncim me shpresë se gjithçka do t’i kthehej normalitetit dhe se i shoqi i penduar me lot në sy ka bërë një deklaratë faljeje para policisë fierake. Por dje sërish burri i saj ka ardhur në shtëpi i pirë dhe ka tentuar të vrasë gruan, pasi i kërkonte sërish me ngulm paratë. Ai e ka tërhequr gruan e vet shtatzënë me fëmijën 5 muajsh në bark në dhomën e vogël të gatimit dhe pasi ka mbyllur derën me çelës e ka qëlluar fillimisht me një gur të madh dhe pasi gruaja është shtrirë përdhe nga dhimbja dhe ka thirrur me të madhe për ndihmë, ai ka rrëmbyer një thikë të madhe dhe i ka prerë damarët e duarve gruas dhe i ka vendosur thikën në fyt duke mos arritur dot aktin fatal, por vetëm ka arritur ta çjerrë atë. Në këto momente ka mbërritur vajza e tyre 5 vjeçare për ndihmë, por i ati i inatosur ka tentuar të vrasë me thikë edhe të bijën. Në këto momente e ëma e plagosur, pasi ka parë aktin barbar, ka marrë forcat e fundit dhe e ka shtyrë burrin e saj për të shpëtuar vajzën e vogël, e cila shkoi tek fqinjët për ndihmë. Ky moment dyluftimi mes burrit dhe gruas zgjati më shumë se 20 minuta, të cilat kanë qenë minuta tmerri në familjen Zotaj. Fqinjët tregojnë se kanë kapërcyer murin rrethues të shtëpisë dhe pasi kanë shqyer derën kanë hyrë brenda ku kanë shpëtuar gruan nga një vdekje e sigurt. Policia fierake, e cila u lajmërua prej tyre ka mbërritur në vendngjarje dhe ka kryer veprimet procedurale. Ajo ka sekuestruar thikën si provë materiale, ndërsa ka bërë arrestimin në flagrancë të Elmaz Zotaj, duke dërguar materialet në Prokurori për veprime të mëtejshme. Sipas policisë, burri dhunues akuzohet për tentativë vrasjeje ndaj gruas së tij, vepër penale kjo, e cila parashikon jo më pak se 10 vjet burg.

Rrëfen gruaja: Ja minutat e mia të tmerrit. Sot kishim datëlindjen e vajzës

Më goditi me gurë, pastaj tentoi të më vriste mua dhe vajzën

E mbuluar tërë gjak që nga qafa, duart e fashuara e deri tek veshja e saj e varfër, me një fytyrë të përvuajtur nga jeta e saj e rëndë 10-vjeçare me burrin dhunues, Silvana rrëfen jetën e vështirë, dhunimet e shpeshta dhe papunësinë e burrit pijanec. E shtruar në repartin e urgjencës së spitalit civil të Fierit, Silvana me lot në sy tregon se e ka jetë të dytë që ka shpëtuar e megjithatë nuk dëshiron të lëndojë njeri, qoftë edhe burrin e saj dhunues, pasi sipas saj ka një jetë tjetër në bark, të cilin ajo e quan “engjëll” që i ka shpëtuar jetën...

Silvana, si ka ndodhur ngjarja?

Sapo kisha ardhur nga puna. Punoj tek kunata ime dhe presoj bidonët 5 kilësh. Bëj edhe punë të tjera të rënda. Shpesh mbledh edhe bidonë ose kanoçe nëpër kosha. Më duhet të punoj, pasi im shoq është i papunë dhe kam 2 fëmijë për të rritur, djalin 6 vjeç dhe vajzën 5 vjeçe. Sot ajo madje kishte ditëlindjen dhe babai ia “shpërbleu” kështu duke i vrarë nënën. Vjen burri dhe çuditërisht i qetë më thotë: “I gjeta lekët që më kishin humbur”. Ai pretendonte 3 ditë më parë se i kishin humbur 150 mijë lek të vjetra dhe më akuzoi mua. Për këtë kishim grindje, e cila shkoi deri në polici, por ia fala për hir të fëmijëve. Nejse. I thashë: “Shyqyr more burrë që i gjete, se jemi të varfër. Po ku i ke? Hajde ti tregoj unë”,-më tha dhe më çoi në një dhomë të vogël pa strehë, të cilën ne e përdorim për gatim. Shkuam atje dhe ai mbylli derën me çelës. Më qëlloi me gur dhe rashë papritur përdhe. Nuk e prisja dhe nuk isha e përgatitur. Pastaj siç duket kam thërritur dhe ka ardhur duke qarë vajza jonë 5 vjeçe. Im shoq i inatosur ka hapur derën dhe me thikë në dorë, të cilën e kishte marrë pak çaste më parë dhe më kishte prerë damarin e njërës dorë, donte të vriste vajzën. Më dha zoti forcë dhe e ka shtyrë burrin që gërvishti vajzën me thikë, por ai i inatosur nuk përtoi të ma ngulte thikën në gurmaz duke më gërvishtu dhe prerë damarin e dorës tjetër. Më zuri gjaku dhe u shtriva përdhe pa ndjenja. U përmenda në spital. Siç mësova më vonë ka qenë vajza, e cila ka thirrur me të madhe tek fqinjët. Ata kanë lajmëruar policinë dhe u gjenda në spital.

Pse nuk punonte burri?

Ai ka qenë punëtor nafte. Doli në asistencë dhe ne na pllakosi varfëria. U detyrova të bëj punë të rëndomta për t’u ushqyer veten dhe fëmijët. Ai ka dalë edhe në KEMP sepse është i sëmurë. Por edhe pi shumë. Tërë ditën rri i pirë dhe ushtron dhunë për hiçgjë mbi mua. Disa herë e kam çuar në polici, por për hir të fëmijëve dhe sepse nuk kam ku të shkoj e kam toleruar. Por këtë herë është ndryshe. Ai donte të më merrte jetën. Asnjëherë nuk ka vepruar kaq egërsisht sa sot. E kam jetë të dytë. Ndoshta nga ky engjëll që kam në bark.

Je shtatzënë dhe ai ushtroi dhunë kaq të rëndë fizike?

Po, jam 5-muajshe dhe bëj punë të rënda. Jam e vetme ç’të bëj. Por edhe pse ndodhi kështu fëmijën nuk e heq. ǒfaj më ka fëmija? Ku të rriten 2 do të rriten 3.

Po tani do të tërhiqesh nga denoncimi?

Unë nuk ka bërë denoncim, ka qenë policia që tashëm vepron. Ai dua apo nuk dua unë do të dënohet dhe unë kërkoj të veprojë ligji. Pavarësisht se nuk dua t’i bëj keq njeriu.

Po njerëzit e burrit si reagojnë?

Ata i kam të mirë dhe ka vëllezër dhe nënën përreth shtëpisë sonë. Po nuk kanë ç’ti bëjnë. Në fund të fundit, ata do të mbajnë nga ana e djalit të tyre.

Fëmijët tashmë me kë rrinë?

Ja ashtu rrugëve, ose janë të shokuar në shtëpi. Ku e di unë e gjora. Kam merakun e tyre. Sot vajza ime bëri 5 vjeç dhe pa tmerr me sy.

Pse e ke toleruar kaq shumë?

Unë vij nga Shkodra, brenda nga qyteti. Por jam familje shumë e varfër. Burri ka qenë i martuar 2 herë të tjera dhe ka fëmijë me gratë e mëparshme. Ishte fati im që më pleksi me të.

Kam 2 fëmijë me të dhe pres të tretin. Por siç duket do të vazhdoj t’i rris vetëm.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›