E Diel, 1 Nëntor 2026

"Rama ka frikë nga provimi i 28 qershorit"

24/05/2009  Ministri i Jashtëm Lulzim Basha sulmon kryesocialistin Edi Rama

Kryediplomati premton liberalizimin e vizave

Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha ka përdorur një gjuhë të ashpër ndaj kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama. Duke folur gjatë një takimi elektoral të Forumit Rinor të Partisë Demokratike në Elbasan, kryediplomati shqiptar ka sulmuar Ramën për vendimin që të mos jetë pjesë e listës së kandidatëve për deputetë në funksion të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit. Sipas Bashës, kryesocialisti Edi Rama ka ngelur në çdo provim të dhënë para qytetarëve të Tiranës, prandaj nuk ka kurajë të futet në provimin e 28 qershorit. Ministri i Jashtëm deklaroi se i vetmi provim që nuk ka humbur Edi Rama është ai i dhënies së shumicës së lejeve të ndërtimit bashkëpunëtorëve të tij. “A merret dot një provim pa u futur në provim? Jo. A e di Edi Rama këtë? Jo. Kjo nuk është shkollë arti me korrespondencë, që të bësh pikturat nga shtëpia dhe të japësh provimin. Jo zoti Rama, ti duhet të dalësh në ballë të garës, duhet ta japësh provimin që ta marrësh provimin. Në çdo provim që ke dhënë ke ngelur, prandaj nuk ke faj që nuk futesh dhe në këtë provim, sepse e ke humbur aforfe”, - deklaroi Basha. Gjatë këtij takimi shefi i diplomacisë shqiptare ka bërë një analizë të arritjeve të qeverisë së mazhorancës së djathtë gjatë katër vjetve të fundit. Basha e vka vënë theksin në investimet e mëdha në infrastrukturë, në reformat e thella të ndërmarra në ekonominë vendase dhe në sistemin fiskal. Ai kujtoi se ishte pikërisht qeveria e Kryeministrit Berisha ajo që ia doli të dyfishonte rrogat dhe pensionet. Ministri Basha tha para të rinjve të FRPD-së se koalicioni i partive të djathta është ai që do t’u japë mundësi shqiptarëve për të vazhduar më tej ndryshimin e nisur.

Gjatë këtij takimi me të rinjtë e Partisë Demokratike ministri Basha ka folur edhe në lidhje me procesin e rëndësishëm të liberalizimit të vizave. Ai ka siguruar të rinjtë e Elbasanit, e përmes tyre të rinjtë e të gjithë Shqipërisë, se procesi i heqjes së vizave është në rrugë të mbarë, se “ashtu siç është premtuar, brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha, të gjithë do të lëvizin lirisht nëpër hapësirën Shengen”. Qëndrimi i ministrit Basha vjen pak ditë pasi homologu i tij spanjoll, ministri Migel Moratinos, deklaroi mbështetjen për këtë proces gjatë vizitës së tij në Tiranë. Kryedisplomati spanjoll tha se ende nuk është caktuar një kalendar për vendimin e liberalizimit të vizave të të gjitha vende të Ballkanit Perëndimor dhe se do të merret nga Këshilli i Ministrave të Bashkimit Europian. Moratinos pas takimit me Bashën tha se kishte mundur të konstatonte se shumë shtete europiane janë në favor të procesit të liberalizimit të regjimit të vizave e më vonë do të bëhen marrëveshje dypalëshe me secilin nga vendet e BE-së. “Kur një vend avancon më shumë dhe i plotëson kushtet e sigurisë, ky regjim do t’i jepet më përpara”, - deklaroi ministri spanjoll.

Për Ramën

“A merret dot një provim pa u futur në provim? Jo. A e di Edi Rama këtë? Jo. Kjo nuk është shkollë arti me korrespondencë, që të bësh pikturat nga shtëpia dhe të japësh provimin. Jo zoti Rama, ti duhet të dalësh në ballë të garës, duhet ta japësh provimin që ta marrësh provimin. Në çdo provim që ke dhënë ke ngelur, prandaj nuk ke faj që nuk futesh dhe në këtë provim, sepse e ke humbur aforfe.”

Për vizat

Gjatë takimit me të rinjtë e Partisë Demokratike ministri Basha foli në lidhje me procesin e rëndësishëm të liberalizimit të vizave. Ai siguroi të rinjtë e Elbasanit, e përmes tyre të rinjtë e të gjithë Shqipërisë, se procesi i heqjes së vizave është në rruge të mbarë dhe se “ashtu siç është premtuar, brenda vitit të parë të mandatit të dytë të qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha të gjithë do të lëvizin lirisht nëpër hapësirën Shengen”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›