E Shtunë, 31 Tetor 2026

I preu damarët gruas për xhelozi, arrestohet nga policia

Elmaz Zotaj, 44 vjeç dyshonte se bashkëshortja e tij, Suzana e tradhtonte. Gruaja në gjendje të rëndë në repartin e kirurgjisë në spitalin e Fierit

Luan Kondi

Fier - Kthehet nga puna pasdite, rreh gruan dhe më pas i pret damarët me thikë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në vendin e quajtur “Vija e Ngjalës”, në lagjen “Sheq i madh” të Fierit, në banesën e 44-vjeçarit Elmaz Zotaj. Burri, pas ngjarjes ka tentuar të largohet, por rreth një ore më pas ai është vënë në prangat e policisë. Gruaja e tij është dërguar menjëherë për në repartin e kirurgjisë në spitalin e Fierit, ku i është dhënë ndihma e parë mjekësore. Ngjarja ka ndodhur për motive xhelozie, pasi Elmazi dyshonte se bashkëshortja e tij, Suzana, me të cilën ka dy fëmijë, e tradhtonte. Sapo është futur në portën e shtëpisë, ai ka thërritur të shoqen, e cila ka refuzuar të dalë ta presë. Pas kundërshtimit të së shoqes, 44-vjeçari ka filluar ta shajë dhe ta qëllojë bashkëshorten. Zotaj e ka tërhequr zvarre gruan deri në aneksin e shtëpisë, ku pasi ka marre thikën, i ka prere damarët e duarve nënës së dy fëmijëve. Pas ngjarjes, ai është larguar nga banesa, duke e lënë gruan mes një pellgu gjaku.
Rastet
Më 27 mars të këtij vitit policia e kryeqytetit ka marrë në mbrojtje të menjëhershme një 47-vjeçare, e cila rrihej sistematikisht nga i shoqi. Sipas burimeve, Shezie M., kishte denoncuar dhunën fizike dhe psikologjike që ushtrohej ndaj saj në Komisariatin numër 6 të policisë në lagjen Kombinat të Tiranës. Policia ka këshilluar edhe të shoqin Fatmir H., 52 vjeç për të mos u konfliktuar sërish me Shezien. Më 29 nëntor 2008 po uniformat blu të kryeqytetit ka marrë në mbrojtje të menjëhershme dy gra të moshave 40 dhe 42 vjeçe, së bashku me fëmijët e tyre, për shkak të dhunës sistematike fizike dhe psikologjike që ushtrohej ndaj tyre. Liman La., 45 vjeç, sipas policisë, të kishte goditur bashkëshorten Hike dhe dy djemtë, Sajmir dhe Hasan, respektivisht 22 dhe 19 vjeç. Në të njëjtën ditë Agim B., 41 vjeç, në banesën e tij në rrugën “Llambi Bonata” ka qëlluar me grushte bashkëshorten Vule, 40 vjeçe. Më 23 shkurt 2008 një burrë rrahu gruan dhe vjehrrën. Ai tentoi të takonte të bijën dhe është kundërshtuar nga bashkëshortja, P. V. ka rrahur gruan dhe vjehrrën e tij. Kjo ka qenë skema e ngjarjes së zhvilluar para vajzës së mitur, pranë parkut të autobusëve në Tiranë.
Dhuna në familje
Edhe pse janë shtuar rastet e denoncimit të dhunës në familje, policia pretendon se viktimat e dhunuara nuk janë ende të sensibilizuara për të kërkuar ndihmë tek uniformat blu. Burime nga Sektori i Mbrojtjes se Viktimave të dhunës në familje, deklarojnë se përveç dhunës klasike që është mes bashkëshortëve, denoncimet e të moshuarve po tregojnë se ekziston edhe një lloj tjetër dhune, ajo ndaj prindërve, apo edhe ndaj të miturve. Ata që dhunojnë prindërit njihen si persona në depresion, apo përdorues droge. Sipas statistikave të vitit 2008 janë regjistruar 148 bashkëshorte të dhunuara, 43 raste kur prindërit kanë dhunuar fëmijët, dhe 18 raste prindër të dhunuar nga fëmijët. Por policia njeh si problematike për dhunën në familje zonat rurale, tek të cilat dhuna është e fshehur dhe viktimat nuk denoncojnë. Fushatat sensibilizuese që janë më të ndjeshme në qendrat e mëdha urbane kanë bërë që edhe rastet me të larta të denoncuara të vijnë nga këto qarqe. 60 për qind e dhunës denoncohet dhe evidencohet në Tiranë. Dhuna në zonat rurale është shumë më e lartë se ajo në zonat urbane, por është e fshehur dhe pranohet nga viktimat si pjesë e jetës së tyre. Nga ana tjetër, gjykatat në vend kanë lëshuar urdhrin e mbrojtjes për 172 persona të dhunuar, prej të cilëve kryesojnë gratë e keqtrajtuara e me pas vijnë fëmijët dhe prindërit e dhunuar.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›