E Diel, 1 Nëntor 2026

Inspektimi i Avokatit të Popullit, vërehen mangësi në paraburgimin e Tiranës



Tiranë - Pas një inspektimi i bërë në dhomat e shoqërimit të Komisariateve të Policisë së Tiranës ka konstatuar parregullsi në ambiente si dhe procedurat e shoqërimit të të burgosurve. Pas inspektimit institucioni i Avokatit të popullit rekomandon marrjen e masave të menjëhershme për ndërtimin e dhomave të shoqërimit të shtetasve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë dhe në të gjitha Komisariatet në varësi te saj, sipas konceptimit te ligjit te ri nr. 9749, date 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, duke krijuar ambiente të përshtatshme, dinjitoze, të pajisura me orenditë e nevojshme për qëndrim, të ndara më vete për femrat, meshkujt dhe të miturit, si dhe pa dyer apo skarë hekuri dhe pa shula e dryna. Po ashtu sipas rekomandimit të Avokatit të Popullit strukturat drejtuese të policisë duhet të kërkojnë në mënyrë të vazhdueshme zbatimi me rigorozitet i kritereve ligjore lidhur me rastet e shoqërimit të shtetasve ne organet e policisë si dhe për trajtimin dinjitoz të tyre. Ne ambientet e shoqërimit të shtetasve të vendosen postera me të drejtat ligjore të personave të shoqëruar. Mendojmë se postera të tilla kanë vlerë informuese për të shoqëruarit, por në të njëjtën kohë ato shërbejnë edhe si mjet kujtese për punonjësit e policisë për t’i zbatuar e respektuar këto të drejta. “Të merren masat e nevojshme për transferimin menjëherë dhe në çdo rast nga ambientet e policisë, në institucionet e paraburgimit dhe burgimit, në varësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, të të gjithë të paraburgosurve ndaj të cilëve është vendosur masa e sigurimit arrest ne burg dhe e të ndaluarve për efekt të ekzekutimit të vendimit penal të dënimit të tyre me “burgim” në mungesë. Për të rregulluar këtë problem duhen zbatuar me rigorozitet detyrimet e çdo organi të përcaktuar në Urdhrin e Përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë dhe Ministrisë së Brendshme ‘Për kalimin e plotë të paraburgimit nga Ministria e Brendshme në varësi të Ministrisë së Drejtësisë’. Të merren masa të menjëhershme për kontrollin mjekësor të çdo personi të arrestuar dhe ndaluar nga policia që në momentet e para të heqjes së lirisë, por jo me vonë se 24 orët e para si dhe të përgatiten formularë në gjuhë të huaj ku të pasqyrohen të drejtat e personave të shoqëruar, të arrestuar dhe të ndaluar, të cilat t’ju serviren këtyre shtetasve”, -thuhet në rekomandimin e Avokatit të Popullit.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›