E Diel, 1 Nëntor 2026

Identifikohet kalimtari i aksidentuar me vdekje nga makina



Korçë - Në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në vendin e quajtur fshati Biranj, është gjetur një person i vdekur, i cili nga hetimet paraprake u konstatua se gjatë orëve të natës është aksidentuar në mënyrë fatale nga mjet i paidentifikuar. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, policia ka mundur ta identifikojë këtë person, i cili ishte Selim Osmani, 48-vjeç, lindur dhe banues në fshatin Libonik të Korçës, i cili në momentin e aksidentit, ka dashur të kalojë rrugën nga njëra anë e saj, në tjetrën. Policia kreu veprimet procedurale për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, parashikuar nga neni 290/2 i Kodit Penal dhe vazhdon puna për identifikimin dhe kapjen e autorit të kësaj vepre penale.

Qëlloi me armë një 52-vjeçar, policia çon në qeli të riun

Kavajë – Efektivat e komisariatit të policisë së Kavajës arrestuan sot një 20-vjeçar pasi dyshohet se qëlloi me armë një 52-vjeçar. Flamur Meçi, 20-vjeç, lindur në Kukës dhe banues në fshatin Prezë të Tiranës u arrestua nga policia pasi dy ditë më parë rreth orës 22:00, dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri, në fshatin Gosë të Kavajës, 52-vjeçarin Latif Sokoli, 52 – vjeç. I dëmtuari u transportua menjëherë në spitalin e Durrës, dhe pas ndërhyrjes mjekësore i shpëtoi rrezikut. Ndërkohë që forcat e policisë së komisariatit të Kavajës mbërritën në vendin e ngjarjes për të zbuluar autorin dhe motivin e plagosjes. Burime nga policia thanë për gazetën “Albania” se pas hetimeve të para u bë i mundur identifikimi i të dyshuarit ndaj të cilit u mor masa e arrestit. Sipas policisë, Meçit, në cilësinë e provës materiale ju sekuestrua arma e krimit, një pushkë model 56 karabinë. Ai akuzohet për veprat penale të “vrasjes me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake”.

Piu nga depresioni fostoksinë, rëndë në spital 31-vjeçarja

Korçë – Një 31-vjeçare nga fshati Rëmbec i Korçës, e ndodhur në kushtet e një depresioni të rëndë, ka konsumuar lëndën helmuese të fotoksinës. Sipas të dhënave për gazetën “Albania”, Arjana Bajrami, lindur dhe banuese në fshatin Rëmbec të Korçës është shoqëruar nga familjarët në spitalin e Korçës, në gjendje të rëndë me simptoma të helmimit. Nga hetimet paraprake, u konstatua se ajo kishte përdorur lëndë helmuese fotoksinë në kushtet e depresionit psikik dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Korçës, jashtë rrezikut për jetën. U kryen veprimet e nevojshme procedurale për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes së mbetur në tentativë”, parashikuar nga neni 99 dhe 22 i Kodit Penal.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›