E Hënë, 2 Nëntor 2026

I prish murin fqinjit, kishin probleme pronësie

03/05/2005  TIRANË- Grindet me fqinjin për pronën dhe i prish me vare murin ndarës të banesës. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Policisë së Tiranës, të cilat thanë se autori i këtij akti është Genci Hoti, 51 vjeç, nga Tirana, ndërsa ngjarja ka ndodhur në rrugën "Prokop Myzeqari". Hoti është vënë nën pranga dhe Komisariati numër 3 e akuzon për veprën penale që parashikohet nga neni 150 e 112 të Kodit Penal. Ndërkaq pronat jo në pak raste kanë sjellë ngjarje tragjike, të cilat janë përshkallëzuar ndjeshëm vitin e kalur, ku kulmi u arrit në vrasjen me thikë të dy vëllezërve kuksianë në Paskuqan. Vetëm pak ditë më pare, pjesëtarët e një familjeje nga Kashari janë grindur me njëri-tjetrin, pas një vendimi të gjykatës, madje, edhe të plagosen gjatë grindjes. Gjithçka ka nisur nga një vendim i Gjykatës së Tiranës, ku ishte dhënë një zgjidhje për një çështje midis Hysni Dervishit dhe djalit të xhaxhait Ismail Dervishi. Nga padia rezulton se paditësi është Hysniu, i cili ka paditur djalin e xhaxhait. Prona është në afërsi të autostradës në fshatin Kashar në Tiranë dhe pretendohet nga të dyja palët në proces se është prona e tyre. E gjithë zënka në fjalë u realizua për pesë minuta dhe pasojat ishin të dukshme, pasi një prej tyre u plagos në krahë. Motivet e pronësisë janë bërë shkak që një qytetar i lagjes "Ali Demi" në Tiranë, t’i vërë zjarrin shtëpisë së fqinjit. Ngjarja, sipas policies, ka ndodhur ditë më parë dhe si shkaktar i saj është identifikuar Xhafer Dervishi, 54 vjeç. Shtëpia e djegur nuk ka dëme të mëdha materiale, ndërsa Dervishi është vënë nën pranga. Skënder Shkreta kanosi me armë vëllain e tij për dynymët në Kashar dhe kushëriri i tij, Lulëzim Shkreta, i ka fshehur armën e tipit automatik.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›