Transferimi, Lezha pret të dënuarit dhe të paraburgosurit e Veriut

03/05/2005 TIRANË – Burgu i Lezhës me një kapacitet prej 850 vendesh, tashmë është vënë i gjithë në funksionim. Me urdhër të ministrit të Drejtësisë dhe drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, në këtë burg janë transferuar pjesa më e madhe e të dënuarve dhe paraburgosurve, të cilët kanë qenë në rrethe të tjera të vendit. Urdhri, sipas ministrit, është dhënë me qëllim afrimin e të dënuarve dhe paraburgosurve të rretheve veriore me familjet. Ditët e fundit të javës, të gjithë të dënuarit, kryesisht të Qarkut të Lezhës dhe Shkodrës, të cilët ishin duke vuajtur masën e dënimit në burgun e Kosovës, Rogozhinës dhe Peqinit, u transferuan në Lezhë. Numri i të dënuarve pritet të rritet në ditët në vazhdim. Në këtë burg janë duke u transferuar edhe të paraburgosurit e tjerë, të cilët deri tani kanë qëndruar në Tiranë. Lëvizja e të dënuarve nga rrethet e Jugut në Lezhë, do të lehtësojë edhe gjendjen e popullimit. Burgu i Lezhës, sipas burimeve nga Ministria dhe Drejtoria e Përgjithshme, është në gjendje të mbajë të gjithë peshën e të dënuarve dhe paraburgosurve të Qarkut Lezhë dhe Shkodër. Një lëvizje e tillë bëhet për të lehtësuar edhe takimet me familjarët. Zonat e largëta të Veriut të vendit tonë, e kanë më të lehtë të takojnë të afërmit e tyre në Lezhë, duke eliminuar rrugën e gjatë dhe shpenzimet e mëdha. Nga burimet mësohet se kalimi ende nuk ka përfunduar. Radhë pas radhe do të bëhet transferimi edhe për të dënuarit që ndodhen në burgun e Burrelit. Ndërkohë që një kalim i tillë, në shumicën e rasteve është kërkuar edhe nga vetë të dënuarit me formë të prerë. Ndërsa në burgun e Lezhës është rritur numri i të dënuarve, të paraburgosurit janë më pak. Aktualisht, në këtë burg janë sistemuar 120 të paraburgosur. Kushtet janë më të mira se ato të komisariateve. Ministri Xhafaj premtoi se brenda një kohe të shkurtër do të bëjë kalimin e të paraburgosurve që ndodhen në komisariatet e rretheve veriore të vendit në burgun e Lezhës.