Policia arreston 12-vjeçarin për vjedhjen e nëntë
03/05/2005 TIRANË- S.S., 12-vjeçari korçar vjedh sërish. Ky vogëlush ka vënë prej muajsh në punë agjentët e kriminalistikës, ku i numërohen të paktën 9 grabitje. U arrestua dje në mëngjes, sepse kishte kryer vjedhjen e dy dyqaneve në rrugën "Bajram Curri". Grabitja kishte ndodhur në datën 9 prill të këtij viti. S.S., ka vjedhur më parë një dyqan rrobash në rrugën "Sami Frashëri" në Tiranë. Duke qenë se është i mitur, vogëlushi pa prindër është kthyer në një ferr të vërtetë për inspektorët dhe agjentët e kriminalistikës në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të cilët, tashmë i kanë kopsitur nëntë grabitje, që mbajnë autorësinë e tij dhe disa të tjera janë kryer me anën e një bashkëpunëtori të mitur nga Vlora. Para vjedhjes së dyqanit të rrobave, S.S. është shpallur autor i grabitjes së një kioske, ngjarje e ndodhur në datën 29 janar të këtij viti. Nga burime të kriminalistikës mësohet se, tashmë "stili" i tij i vjedhjes është ngulitur mirë në mendjen e tij, pasi ai arrin që, mjeshtërisht, pa dhunë, pa thyerje të grabisë të gjitha materialet e çmuara që mund të ndodhen në objektet ku ai synon. Në listën e gjatë të vogëlushit, që banon sa herë në Tiranë, më pas në Korçë, e më në fund në Elbasan, pasi nuk ka asnjë nga prindërit, përmenden grabitje spektakolare të parukerisë "Beauty", të disa dyqaneve ushqimore, etj. Ndërkaq, paradoksi i arrest-lirimit të tij përsëritet një herë në dy a tri ditë, pasi agjentët fillimisht i vënë prangat, mirëpo mosha e tij minorene e favorizon të lirohet menjëherë dhe përgjegjësia t’i kalojë prindërve, të cilët në këtë rast mungojnë. Kështu që deri në krijimin e gjykatës së të miturve, ai do të vazhdojë profesionin, të cilit ia ka marrë dorën më së miri. Hajduti profesionist, sipas burimeve policore, bashkëpunon me një rrjet të madh hajdutësh, të cilët e udhëheqin e në fund i marrin të gjitha materialet e vjedhura, mirëpo ende nuk është arritur të mësohet ndonjë emër konkret, edhe për shkak të lëvizjeve të çrregullta të vogëlushit, i cili, gjithsesi nuk u ka shpëtuar disa survejimeve të agjentëve të kriminalistikës. Përfundimisht, inspektorët e policisë kanë vendosur ta përgjojnë më imtësisht të miturin, për të arrestuar bashkëpunëtorët e tij.