I pushon gruan nga puna, rreh kreun e KESH-it
KOLONJË- Shkurtimet në filialin e KESH-it në qytetin e Ersekës, i kanë kushuar shtrenjtë kreut të tij. Ndonëse janë ekzekutuar disa largime, ajo që ka qenë më problematikja për drejtorin Durim Muço, ishte heqja nga puna e një punonjëseje me detyrë arkëtare e faturave të energjisë. Por duket se vendimi për largimin nga puna nuk është pritur aspak mirë nga bashkëshorti i saj, 39-vjeçari A.Jaçe. Ky i fundit, sipas burimeve zyrtare të policisë lokale, ka shkuar në zyrën e drejtorit Muço dhe pas kërcënimeve dhe grindjes për largimin e gruas, e ka keqtrajtuar fizikisht atë. I dhunuari ka kërkuar ndihmën e policisë, ndërsa pas veprimeve të para të grupit hetimor të ngritur për këtë ngjarje, autori i saj ka përfunduar në pranga. 39-vjeçari A. Jaçe, banor i fshatit Starje në rrethin e Kolonjës, akuzohet për veprën penale të "goditjes për shkak të detyrës" dhe "fyerjes për shkak të detyrës". Mësohet se shkak i largimit nga puna të arkëtares janë bërë disa parregullsi të konstatuara në dokumentacionin e saj.