E Shtunë, 31 Tetor 2026

Viktima e AH1N1, mjekët: Familja e largoi nga spitali

Një 25-vjeçar paraplegjik nga fshati Sheqeras ka qenë viktima e radhës e gripit të derrit

KORÇË- Vdes në shtëpi nga gripi i derrit një 25-vjeçar, paraplegjik, i cili prej disa vitesh jetonte i paralizuar. Burime të Senatoriumit në Korçë bëjnë të ditur për gazetën se i riu fatkeq ishte banor i fshatit Sheqeras, rreth 20 kilometra larg qytetit të Korçës. Ai jetonte bashkë me prindërit e tij, ndërsa shenjat e sëmundjes i janë shfaqur rreth dy javë më parë. Mësohet se kanë qenë familjarët ata që pavarësisht gjendjes së rëndë të të riut kanë ndërmarrë rrezikun për ta marrë në shtëpi dhe për të mos e lënë të mjekohej në spital. Ndërkaq, analizat e viktimës së gripit të derrit kanë mbërritur fill pas vdekjes së tij, duke konfirmuar se ai ishte prekur nga virusi AH1N1.
***
Historia e 25-vjeçarit që mbeti viktimë e AH1N1 ka nisur rreth dy javë më parë. I riu, që gëzonte statusin e parapalegjikut për shkak të paralizës së tij të hershme, ka pasur temperaturë të lartë, marrje fryme dhe kollë të vazhdueshme. Nisur nga kjo situate, pas një vizite në urgjencën e spitalit rajonal, pacienti është dërguar për mjekim në senatorium, për shkak të problemeve që paraqiste në rrugët e frymëmarrjes. Gjendja shëndetësore e 25-vjeçarit nuk ka ndryshuar pavarësisht mjekimeve që ka marrë. Nisur nga këto kushte dhe mosreagimi gjatë mjekimeve, familjarët e tij e kanë parë të udhës të marrin të afërmin e tyre në shtëpi. Burime të spitalit shprehen se viktima, e cila dyshohet se ka mbetur peng i gripit të derrit, ka qëndruar i shtruar vetëm për një ditë, ndërsa ka qëndruar në urgjencë për katër orë. Kjo kohë e qëndrimit të tij në spital ka shërbyer që mjekët të marrin analizat e viktimës për virusin AH1N1.
***
Pas vdekjes së 25-vjeçarit, i cili e ka kaluar gjithë kohën e sëmundjes në shtëpi, drejtoresha e senatoriumit të Korçës, Diana Aliçkolli, ka bërë të ditur për gazetën "Shekulli" se kanë qenë familjarët ata që e kanë marrë të riun në shtëpi. Pavarësisht se dyshohej se ai ishte me gripin e derrit, çka, nisur dhe nga gjendja e tij si i sëmurë, mund t'i shkakonte vdekjen, të afërmit kanë firmosur për të mos e lënë më të riun në spital. "Edhe në rastet kur kemi të bëjmë me një sëmundje ngjitëse, nëse familjarët kërkojnë largimin e tij nga spitali, ne nuk kemi të drejtë ta mbajmë", bën të ditur Aliçkolli. Mësohet se kthimi në shtëpi e ka rënduar edhe më shumë gjendjen e të riut 25-vjeçar, ndërsa po ditën e vdekjes së tij ka mbërritur përgjigjja e analizave, që ka konfirmuar se ai ishte i infektuar nga gripi i derrit. Ndërkaq, dyshohet që edhe banorë të tjerë të Sheqerasit të jenë prekur nga gripi.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›