E Shtunë, 31 Tetor 2026

Roskoveci kërkon zbardhjen e vrasjes së Xhindit

Peticioni

1500 banorë të qytezës ku ishte zgjedhur për tri legjislatura firmosën një peticion që tashmë është depozituar në Prokurorinë e Përgjithshme

TIRANË- Banorët e zonës së Roskovecit dorëzuan dje në protokollin e Prokurorisë së Përgjithshme dhe në Ambasadën e SHBA-së në kryeqytet një peticion me 1500 firma, ku kërkohet zbardhja e vrasjes së deputetit të tyre Fatmir Xhindi këtu e 6 muaj më parë në hyrje të banesës së tij. Kanë qenë një grup përfaqësuesish të zonës elektorale ku është zgjedhur për disa mandate deputetit Xhindi, të cilët paraditen e djeshme kanë dorëzuar në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme peticionin e banorëve të zonës, përmes së cilës kërkojnë nga kryeprokurorja Ina Rama gjetjen e autorëve të vrasjes së deputetit të tyre. Gjithashtu, po kjo përfaqësi e zonës një kopje të këtij peticioni e kanë dorëzuar edhe pranë Ambasadës së SHBA-së në vend, duke i kërkuar ndërhyrjen e saj për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të ndodhur në maj të viti 2009 poshtë banesës së deputetit në Roskovec të Fierit. Pas dorëzimit të këtij peticioni, në dalje të derës kryesore të ndërtesës së Prokurorisë së Përgjithshme shtetasi Mustehak Haxhiu, përpos kërkesës për gjetjen e autorëve të vrasjes, paralajmëroi se banorët e zonës do të futen edhe në grevë urie deri sa të gjendet autori i këtij krimi. "Po nuk u zbuluan për një kohë të shkurtër autorët e atij krimi ku u vra deputeti jonë Fatmir Xhindi ne banorët e zonës do të ndërmarrim rrugë tjetër, deri në futjen në grevë urie",-tha Mustahek Haxhiu i ardhur nga Roskoveci. Ndërsa banori tjetër po i kësaj zone, Vasil Kola, në fjalën e tij i kërkoi kryeprokurores Ina Rama dhe drejtuesve të Policisë së Shtetit të zbardhin sa më shpejt çështjen. "Tre muaj më parë, ish-Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, na premtoi se shumë shpejt do të zbardhet çështja, por ende akoma asnjë të re nuk kemi",-thanë banorët me të dalë nga prokuroria. Ndërkohë, burimet pranë këtij institucioni konfirmuan për "Shekullin" se hetimet për vrasjen e deputetit Xhindi vazhdojnë nga tre prokurorë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të cilët po hetojnë çdo informacion apo të dhënë për ngjarjen. Ky peticion i banorëve të Roskovecit të Fierit, erdhi një ditë pas analizës së departamentit të hetimit të krimeve në policinë e shtetit, ku drejtuesit e policisë pranuan se vrasja e ish-deputetit socialist është një nga krimet e pa zbardhura të vitit 2009. Gjithashtu, pak javë më parë, ishin po banorët e qytezës së Roskovecit ku Xhindi kishte fituar tre herë mandatin e deputetit që zhvilluan një protestë me anë të së cilës kanë kërkuar zbardhjen e vrasjes. Dhjetëra banorë janë mbledhur në qendër të Roskovecit ku i kanë bërë thirrje shtetit të zbardhë sa me parë vrasjen e deputetit, ndërsa kanë firmosur edhe një peticion i cili tashmë u ka mbërritur autoriteteve të drejtësisë në kryeqytet. Ish-deputeti tashmë i Partisë Socialiste në tre mandate në Roskovec, Fatmir Xhindi, u vra mbrëmjen e 2 majit 2009 në portën e shtëpisë së tij kur u qëllua me breshëri automatike në momentin e mbylljes së makinës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›