I ra me grusht tifozit të “Djajve”, Hoze Murinjo hetohet nga policia
Hoze Murinjo do të hetohet nga policia e Mançesterit pasi trajneri i Interit ka goditur me grusht një tifoz të Mançester Junaitid, pas ndeshjes së humbur me “Djajtë e kuq” për Ligën e Kampioneve. Sipas asaj që raportojnë “Sun”, “Sky Sports” dhe agjencia amerikane e lajmeve “Associated Press”, portugezi e kishte goditur tifozin pranë autobusit të Interit, ndërkohë që skuadra po largohej nga stadiumi “Old Tradord”. Policia angleze kontaktoi me drejtuesit e stadiumit për të parë filmimet e telekamerave pas marrjes së denoncimit. “Pak para mesnatës një njeri u godit me një grusht në fytyrë jashtë ‘Old Traford’”, - thuhet në komunikatën e policisë. “Jemi duke hetuar në bazën e akuzës për agresion”.
“ASPAK E VËRTET˔ – Lajmi u përgënjeshtrua menjëherë nga tekniku portugez gjatë stërvitjes me skuadrën në “Apiano Xhentile”. Pasndeshja e Murinjos ishte një fair-play i vërtetë dhe tekniku portugez, sipas “Gazzeta dello Sport”, nuk ishte protagonist i asnjë sulmi kundër ndonjë tifozi të Junaitid. Këtë gjë e pranoi edhe klubi i Interit, pas publikimit të lajmit të denoncimit në Policinë angleze për një goditje me grusht të teknikut portugez. “Në përfundim të ndeshjes, - saktëson klubi i Interit, - tekniku portugez dha intervista për të gjitha mediat europiane të pranishme në stadium, ndaloi vetëm në një sallë ku firmosi shumë autografe dhe pa penalltitë e ndeshjes Roma-Arsenal, e pastaj për të përshëndetur Sër Aleks Fergusonin në zyrën e tij. Pasi dha intervistën e fundit për ‘Inter Channel’, u ngjit në autobusin e skuadrës të ndodhur në jashtë zonës së dhomave të zhveshjes”. Kjo është ajo që klubi i Interit e konsideron si një “postndeshje e qetë” për trajnerin Murinjo.
“JO MË SPECIAL” - Gazetat angleze u treguan shumë ironike pas fitores së Mançesterit kundër Interit. Në shënjestër ishte ish-tekniku i Çelsit, Hoze Murinjo. “Nuk je më ‘Special one’, - ishte titulli i “Dail Mail” në suplimentin e saj sportiv. “Daily Star” shkruante: “Bye bye Mourinho”.
TITULLI – Murinjo është i përhershmi në stilin e tij. “Tani e gjithë Italia do të jetë e gëzuar, pasi Interi u eliminua. Por mua kjo nuk më intereson. Nuk jam i zëmëruar, por i trishtuar. Përpara se të prekin skuadrën time duhet të më vrasin mua. Nuk e patëm fatin që shërben për të fituar këto ndeshje të mëdha. Më vjen keq për ata që nuk e kanë fituar kurrë këtë kupë dhe doja ta bëja. Treguam personalitet të madh. Tani kam më shumë siguri që titulli do të jetë yni”.
Milani, i fundit që ka mundur Mançesterin
Administratori i deleguar i Milanit, Adriano Galiani, foli për krizën e futbollit italian në raport me atë anglez, por duke kujtuar një statistikë domethënëse. “Milani është skuadra e fundit që ka mundur të fitojë me Mançesterin në Europë, në gjysmëfinalet e sezonit 2006-2007 në ‘San Siro’ dhe që nga ajo ditë në 21 ndeshje në Ligën e Kampioneve, Mançesteri nuk ka humbur asnjë”. Milani fitoi 3-0, më 2 maj 2007. Në një nga ndeshjet më përfekte të kuqezinjve.
13 Mars 2009