Serbia përkujton me homazhe kryeministrin Zoran Gjingjiç
Autoritetet serbe, presidenti Boris Tadiç, kryeministri Mirko Cvetkoviç si dhe mijëra qytetarë nderuan dje kryeministrin serb Zoran Gjingjiç, i cili u vra 6 vjet më parë përpara Kryeministrisë. Presidenti Tadiç, kryeministri Cvetkoviç, e veja e Gjingjiç Ruzica Gjingjiç, djali i tij Luka si dhe një numër i madh deputetësh dhe anëtarësh të kabinetit qeveritar, vendosën lule dhe ndezën qirinj mbi varrin e tij. Të pranishëm ishin edhe ish-anëtarë të qeverisë së tij dhe ministrat e qeverisë aktuale serbe. Më shumë se 3000 persona iu përgjigjën thirrjes së Partisë Liberale (LDP) të Cedomir Jovanoviç, ish-bashkëpunëtor i afërt i Zoran Gjingjiçit për të marrë pjesë në një marshim në qendër të Beogradit në kujtim të kryeministrit proeuropian, të vrarë nga një snajper më 12 mars 2003. Zoran Gjingjiç u zgjodh në krye të qeverisë së parë reformatore serbe pas rënies së regjimit autokrat të Sllobodan Millosheviçit. Ai mori vendimin për dërgimin e këtij të fundit përpara Gjykatës Penale Ndërkombëtare të Hagës.
13 Mars 2009