E Shtunë, 31 Tetor 2026

LUFTAR PAJA. “Si rruar, qethur” në Fier



Petrika GROSI
Aktori i madh i humorit shqiptar, Luftar Paja, së fundi i rikthehet skenës me një komedi të re, së cilës ende nuk i është vendosur titulli përfundimtar. Megjithatë, vetë Luftari na sugjeron për momentin ta quajmë “Si rruar, qethur”. Në fakt, bëhet fjalë për dy berberë që fushata zgjedhore dhe bindjet e kundërta politike nga shokë i kthejnë në armiq. Por ironia e fatit vazhdon më tej. Fëmijët e tyre që studiojnë jashtë njihen dhe dashurohen me njëri-tjetrin, pra normalisht dy berberët bëhen krushq. Merret me mend situata komike që dashur pa dashur krijohet nga e pashmangshmja që i ndan dhe i bashkon të dy shokët.
Për më tepër le të presim fillimin e muajit të ardhshëm dhe të shohim këtë shfaqje që, sipas Luftarit, do të jetë e suksesshme.

Luftar, ç’është kjo pjesë e re, për të cilën po punoni kohët e fundit bashkë me trupën e Teatrit të Fierit?
Është një komedi që bën fjalë për zgjedhjet që zhvillohen në Shqipëri. Dy berberë kanë qenë miq të ngushtë, mirëpo përkatësitë partiake i kanë ndarë. Janë dy parti, të cilave ne nuk u vëmë etiketa, por që duke qenë kundërshtare i kanë bërë të tillë edhe dy berberët. Ndërkaq, fëmijët e tyre studiojnë jashtë dhe dashurohen me njëri-tjetrin. Pra, dy “armiqtë” bëhen krushq një ditë. Këtu qëndron edhe përplasja që sjell humorin. Komedia është e Bashkim Kozelit, me regji të Guri Koços. Komedia u pa e arsyeshme që të vihet në skenën e Teatrit të Fierit. Pjesa u prit me shumë dashamirësi dhe na u krijuan kushtet për të punuar nën kujdesin e bashkisë së qytetit dhe personalisht të kryetarit të saj Baftiar Zeqo, i cili po na ndihmon jashtë mase për realizimin e komedisë me sukses. Trupa është shumë simpatike, merr pjesë Hajrie Rondo, Fatmir Xhelili, Shpëtim Shehu dhe dy aktorë të rinj si Doriana Çaushi dhe Orion Halili, të cilët kanë mbaruar Akademinë e Arteve dhe janë artistë të rinj me perspektivë. Them se puna po na vete mirë. Atmosfera është shumë e gëzueshme dhe spektatorët po e ndiejnë punën që po bëhet, ndërkohë që interesohen se kur do të jetë gati shfaqja. Në fakt, ne mendojmë të jemi gati ditët e para të prillit.

Jashtë intervistës më thatë se jeni kaq shumë i angazhuar me këtë rol, sa keni harruar edhe familjen, veten tuaj... Çfarë ka kaq të veçantë personazhi i radhës?
Sa m’u propozua roli, u gëzova vetëm për një gjë: t’i kthehem skenës dhe të arratisem nga ajo amullia kafe-shtëpi, shtëpi-kafe. Pastaj gjëja më e bukur është se atmosfera e punës e mban njeriun të freskët. Duke u marrë me punë e ndiej veten sikur nuk kam dalë në pension. Nuk mund të plakem para kohe dhe të luaj gjithë ditën domino me pensionistët.

Mendoni se duhet të dilnit në pension?
Keni të drejtë, por mendoj që për artistin nuk ka pension. Futbollisti ka të bëjë me lodhjen fizike dhe ka një limit të caktuar, ndërsa për aktorin nuk ka si të ketë pension pasi skenës veç moshave të reja i duhen edhe gjyshërit.

Një nga rolet tuaja më të dashura ka qenë te komedia “Tetë persona plus”. Si ka mundësi që nuk ju është dhënë shansi për të realizuar personazhe të tjera të ngjashme pas suksesit të rolit të plakut te kjo komedi?
Në këto kohëra, arti duam apo nuk duam ne është ndarë në disa parcela. Gjërat bëhen sipas disa orekseve. Dikush ka simpati për mua, dikush jo. Varet edhe nga regjisorët kjo, se sa qëllojnë është punë tjetër... Regjisori përgatit gjellën, por pikën e vë regjisori duke thënë nëse gjella është me kripë apo pa kripë.

Ju vjen keq që kohët e fundit keni mbetur disi i veçuar nga skena, pra larg saj?
Patjetër që më vjen keq. E ndiej veten që kam energji, kam forca, të cilat duhen shfrytëzuar në dobi të komunitetit tonë.

Si ju duket rruga ku po ecën djali juaj, Gazmendi?
Mendoj që djali ka kohë të korrigjohet pasi rruga e tij sapo ka nisur. Mendoj se ka nisur njëfarë rruge të mbarë, por edhe ndonjë gjë që nuk ka shkuar mirë ka kohë që ta rregullojë. Rruga e tij është e gjatë. Ai duhet t’i kushtojë më shumë përpjekje, mund dhe djersë profesionit. Mbasi ta ketë arritur qëllimin, duhet t’i kushtojë pak rëndësi edhe familjes, relaksit e argëtimit, që janë të nevojshme për çdo njeri.

Çfarë prisni si baba prej tij, pra ku doni që djali juaj të arrijë një ditë?
Nuk pres ndonjë gjë të madhe prej tij përveç kësaj, që atë personalitet, të cilin e ka krijuar, ta zhvillojë më tej, ta mbajë me nder dhe t’ia rrisë vlerat sa më shumë.

Së fundi, keni gjë për të shtuar?
E rëndësishme është që trupa e mirëpriti regjisorin korçar Guri Koço. Ai me të vërtetë është ndër të paktët regjisorë me të cilët kam punuar dhe që mund të them se gjatë gjithë kohës e ha meraku dhe punon shumë me detajin e aktorët. Sot regjisorë të tillë janë të paktë.

13 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›