Kryetari i këshillit ankohet për emërtimin e rrugëve
ELBASAN Disa qytetarë elbasanas kanë ngritur shqetësimin e emërtimit të rrugëve në këtë qytet. Ky shqetësim i është përcjellë kryetarit Blendi Himçi, i cili në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak të Elbasanit ua ka përcjellë këtë shqetësim këshilltarëve dhe bashkisë Elbasan. Himçi nënvizoi faktin se emra të figurave me reputacion të madh për qytetin e Elbasanit figurojnë në rrugë dytësore dhe tretësore, ndërkohë që në disa raste janë hequr emra të mëparshëm. Ai i kërkoi komisionit të vlerësimit të figurave të marrë në konsideratë këtë propozim dhe bashkisë Elbasan, që të ndërhyjë për të kryer korrigjimet e nevojshme. Ka reaguar menjëherë kryetari i baskisë, Qazim Sejdini. Sipas tij, ka patur një vendim të këshillit bashkiak për këto emërtime, por më pas kanë qenë vetë këshilltarët që kanë ndërhyrë duke ndryshuar vendosjen e emrave pa dijeninë e bashkisë. Ai tha se po mblidhen ankesat dhe më pas do t’i drejtohen për zgjidhje edhe zv.ministrit të Brendshëm, Ferdinand Pone, pasi projekti po ndiqet nga kjo ministri. Kryebashkiaku i Elbasanit garantoi se bashkia është e gatshme të kryejë korrigjimet dhe zëvendësimet e duhura, por më parë duhet që emrat të rishqyrtohen edhe njëherë nga komisioni i ri i vlerësimit të figurave. Në mbledhjen e radhës së këshillit bashkiak të Elbasanit u ngritën komisionet, ku nuk kanë munguar përplasjet pozitë opozitë për kryesimin dhe emrat. Ndërsa përsa i përket miratimit të buxhetit, ende nuk bëhet fjalë. F.Salliu