Polici i burgjeve, sulm me armë katër të rinjve
TIRANE - Një 32-vjeçar, punonjës policie i Burgut 302, në rrugën “Mine Peza” në Tiranë, është marrë në hetim nga policia e kryeqytetit, pasi ka qëlluar katër herë në ajër me armën e shërbimit. Enver Peposhi është shoqëruar dy ditë më parë nga efektivat e Komisariatit Nr.5, të cilët janë njoftuar për të shtëna armësh, para farmaci “Shehu”, në Institutin Bujqësor. Atij i është sekuestruar arma e shërbimit, një pistoletë tip “TT” me numër serie 330070A98. Gjithashtu në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar 4 gëzhoja të pistoletës “TT”. Burime nga policia thanë se gjatë marrjes në pyetje, polici i burgjeve, Enver Peposhi, ka pranuar se ka qëlluar me armën e shërbimit, por këtë veprim ai e ka argumentuar se e ka kryer në kushtet e vetëmbrojtjes, për të trembur disa persona që e kanë sulmuar. Peposhi është shprehur para oficerëve të policisë, se në kohën kur ka zbritur nga urbani që bën linjën qendër-Institut, e kanë sulmuar 5 persona, të cilëve nuk iu kishte dhënë asnjë shkak dhe ata kanë filluar ta fyejnë e ta kërcënojnë. Në momentin që i ka parë që po i afroheshin, Peposhi për t’i trembur ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka qëlluar katër herë në ajër. Vetëm pas të shtënave personat janë larguar me shpejtësi dhe pak minuta më pas në vendin e ngjarjes ka arritur policia e Komisariatit Nr.5.