E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nxit terrorizmin, kapet Artan Kristo

 

Trazhgim Sokolaj 

Një person i akuzuar për nxitje, thirrje dhe propagandë për kryerjen e veprimeve terroriste dhe sulmeve vetëvrasëse, u arrestua dje në Durrës, me urdhër të Prokurorisë së Tiranës. Artan Kristo, lindur në Shkodër e banues në Durrës, i njohur edhe me emrin Muhamed Abdullah, ra në pranga rreth orës 16:30 pas një hetimi të filluar ndaj tij më 28 gusht 2009. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, të cilat thanë se i dyshuari akuzohet se ka publikuar materiale dhe thirrje për veprimeve terroriste në faqen http//albselefet.net. Në këtë forum, të dedikuar kryesisht për besimtarët, Artan Kristo, duke përdorur emrin tjetër Muhamed Abdullah, akuzohet se ka mbështetur vrasjet dhe veprime të tjera të rrezikshme. Pas publikimit të këtyre materialeve, strukturat e specializuara kanë marrë informacion për ngjarjen dhe menjëherë janë vënë në lëvizje për zbulimin e autorit. Informacioni është referuar në Prokurorinë e Tiranës, ku menjëherë ka nisur hetimi për këtë çështje. Pas rreth një muaji, specialistët e policisë dhe prokurorisë, përmes verifikimeve teknike, kanë arritur të zbulojnë se personi që fshihej pas materialeve të publikuara me emrin Muhamed Abdullah, ishte Artan Kristo. Një emër ky jo pak i njohur për policinë dhe prokurorinë, pas vrasjes së ish-sekretarit të Përgjithshëm të Komunitetit Mysliman, Sali Tivari, më 13 janar 2003, në zyrën e tij në Tiranë. Tre vite pas ekzekutimit të Tivarit, në qershor 2006, policia e shoqëroi Artan Kriston duke e konsideruar si një nga personat kryesorë të dyshuar për ngjarjen. Për një kohë atij iu bllokua edhe pasaporta, në mënyrë që të mos dilte jashtë vendit, por më pas Prokuroria vlerësoi se nuk kishte prova të mjaftueshme.
Përfaqësues i “Al Haramain”
I arrestuari për nxitje të veprimeve terroriste, Artan Kristo, u bë i njohur pas kthimit nga shkollimi jashtë vendit. Ai u radhit në grupin e besimtarëve që i përkisnin rrymës radikale, ndërsa mbajti edhe funksione të ndryshme në Komunitetin Mysliman. Viti 2002 e gjeti atë përfaqësues të fondacionit “Al Haramain” në Shqipëri, një subjekt ky që më vonë u përfshi në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara si financues i dyshuar i terrorizmit. Pikërisht detyra e tij si përfaqësues i fondacionit në fjalë, e vendosi Kriston në konflikt të ashpër me ish-sekretarin e Komunitetit Mysliman, Sali Tivari. Al Haramain kërkonte në mënyrë të vazhdueshme që të kryente investime në Shqipëri, duke kaluar paratë përmes arkës së Komunitetit Mysliman. Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm, Sali Tivari, jurist në profesion, kundërshtonte. Ai nuk ishte dakord që arka e Komunitetit Mysliman të përdorej për qarkullimin e shumave marramendëse, të cilave nuk u dihej burimi.
I dyshuari
Prokuroria e Përgjithshme tha dje në një deklaratë shtypi se hetimet për Artan Kriston vazhduan për rreth dy javë, ndërsa më pas u vendos t’i kërkohej Gjykatës së Tiranës masa e arrestit. Togat e zeza kanë vendosur të miratojnë arrestimin dhe mbajtjen në qeli të Artan Kristos. Menjëherë Prokuroria ia ka përcjellë urdhrin policisë, e cila dje arrestoi të dyshuarin. I dyshuari ka lindur në Shkodër dhe në vitin 1991 është vendosur bashkë me familjen në Durrës. Ai ka studiuar në disa shkolla teologjie jashtë Shqipërisë dhe për një kohë është emëruar pedagog teologjie në kryeqytetin e Egjiptit, Kajro, ku ka jetuar me bashkëshorten e tij për disa vite.

Arrestimi i Kristos, komentet në faqen ku u dha mesazhi “terrorist”

TIRANE – Arrestimi i Artan Kristos, i njohur edhe me emrin Muhamed Abdullahi nxiti një debat në faqen e internetit “albselefet.com”, në të cilën dyshohet se ai ka konsumuar elementët e veprës penale të “nxitjes së terrorizmit”. Një person, anëtar i forumit, i prezantuar me emrin Izi, ka hapur temën me titull: “Artan Kristo a është Muhamed Abdullahi?”, ndërsa ka shtuar: “Tani po shoh lajmet dhe po jepet si lajme flash që prokuroria arreston Artan Kriston për propagandë dhe nxitje për terrorizëm, sa është e vërtetë kjo?”, ndërsa më tej ka cituar një thënie të Ibn Mesud, njërit prej dijetarëve të vjetër të fesë islame: “Nuk kam ndier keqardhje për asgjë me përjashtim të asaj dite që më ka kaluar pa i shtuar veprat e mira”. Pak minuta më vonë menjëherë është përgjigjur një tjetër anëtar i këtij forumi, i prezantuar si Kutejbe: “Eselamu alejkum, edhe unë vëlla gjeta një mesazh në internet ku thuhet se është arrestuar, All’llahu e liroftë sa më shpejt!”. Ndërkohë një tjetër person, i prezantuar me emrin Gjurmisti ka shkruar: “All’llahu e ndihmoftë hoxhën, se nuk e lanë rehat. Kush ka ndonjë informacion më të hollësishëm të na tregojë se na intereson shumë çështja e tij. Çfarë janë këto akuza të pabaza që bëjnë këta dhe nuk dinë asgjë rreth tij?”. Në fund një tjetër person me emrin Fudejl e mbyll me urimin dhe mallkimin: “All’llahu e ruajt hoxhën dhe marrshin nga gjynahet e tij ata që e akuzojnë”. fa.ma

Tivari sherr me Kriston në komunitet e në xhami

TIRANE - I arrestuari i djeshëm Artan Kristo u ndalua për dy ditë në polici më 3 qershor 2006, pas tentativës së hetuesve për rihapjen e dosjes së vrasjes së Sali Tivarit. Juristi 58-vjeçar u gjet i vrarë me armë në zyrën e tij në Komunitetit Mysliman, në orën 08:30 të 13 janarit 2003. Autorët, që besohet se kanë qenë dy persona, shkuan te porta e Komunitetit dhe i thanë rojës se kishin një takim. Ata përmendën emrin e një zyrtari tjetër të Komunitetit, duke pretenduar se ai po i priste në zyrë. Në fakt autorët e vrasjes kanë shkuar në zyrën e Sali Tivarit ku kanë qëlluar tri herë me armë, duke lënë të vdekur zyrtarin nr.2 të komunitetit fetar më të madh në vend. Para se të ndodhte kjo, në vitin 2002, i arrestuari i djeshëm Artan Kristo u emërua përfaqësues i fondacionit “Al Haramain” në Shqipëri. Ky fondacion, përmes Artan Kristos, hyri në kontakt me Komunitetin Mysliman duke kërkuar të kryente financime për hapje shkollash e kursesh për besimtarët në Shqipëri. Ky është momenti kur fillon konflikti mes Sali Tivarit dhe Artan Kristos. Ky i fundit kërkonte që fondet e “Al Haramain” të kalonin kesh në arkën e komunitetit, e më pas të investoheshin si para të këtij institucioni. Sali Tivari, i cili kishte edhe të drejtën e firmës, nuk pranonte. Ai këmbëngulte se Komuniteti Mysliman nuk do të pranonte financime të paverifikuara, të cilat nuk do të kalonin përmes bankave. Konflikti ka qenë i ashpër dhe madje ka tejkaluar formën e një mosmarrëveshje të zakonshme. Artan Kristo fillon kontaktet me zyrtarë të tjerë të Komunitetit, nga të cilët merr konfirmimin se ata ishin dakord për kalimin e fondeve të huaja nga arka e këtij institucioni. Pas kësaj është e qartë se Tivari ishte e vetmja pengesë. Bashkë me punonjës të tjerë të KMSH, Artan Kristo ka hyrë në zyrën e Tivarit, kohë para vrasjes, duke këmbëngulur që Sekretari i Përgjithshëm të pranonte financimet e huaja, pa i kaluar përmes bankave. Tivari përsëri nuk ka pranuar. Në këtë kohë ka pasur një komunikim me fjalë të rënda mes tij dhe Artan Kristos. Si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi fondacionet e huaja që kërkonin të shfrytëzonin arkën e Komunitetit Mysliman, mes Sali Tivarit dhe Artan Kristos ka ndodhur një incident i rëndë në Durrës. Pak kohë para se Tivari të gjendej pa jetë në zyrën e tij, ndërsa ai po fliste në një mbledhje në xhaminë e Durrësit, Artan Kristo bashkë me një person me iniciale G.D., dalin nga xhamia në mënyrë demonstrative, mbyllin derën e institucionit dhe mbajnë brenda për katër orë gjithë besimtarët që ishin mbledhur aty. Në vitin 2006, kur u ndalua si i dyshuar për vrasjen, Artan Kristo paraqiti bileta avioni, fatura pagesash dhe disa dëshmi që, sipas tij, tregonin se ai nuk ka qenë në Shqipëri në kohën kur u vra Sali Tivari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›