Policia e ndalon, hajduti “spiunon” gjithë grupin
TIRANE - Hetim për 40 ditë, kaseta me pamje filmike e një lokali të vjedhur dhe gjurmë të fiksuara nëpër vendngjarje, nuk kishin arritur të zbulonin grupin e hajdutëve të banesave e lokaleve, derisa njëri nga autorët pranoi bëmat e tij e më tej, “spiunoi” edhe shokët. I shoqëruar në mesnatë për verifikim nga patrulla e Komisariatit Nr.3, 19-vjeçari Valter Vladi, i arrestuar tri ditë më parë, ka rënë pre e taktikës së oficerëve të policisë, të cilët i kanë bërë fakt të kryer se kishin prova për të dhe miqtë e tij pjesëmarrës në vjedhje. Skema e vjedhjeve që ishte zbuluar nga policia, por edhe një kasetë me pamje filmike jo shumë të qarta gjatë vjedhjes së një lokali në Laprakë, ka bindur 19-vjeçarin që të tregojë gjithçka duke shpresuar se policia do i krijonte lehtësirat e premtuara. I dyshuari është rrëfyer duke pranuar krimet duke treguar për të gjitha vjedhjet të kryera, emrat e bashkëpunëtorëve dhe vendin ku shiteshin objektet që grabiteshin në lokale e banesa. Megjithatë ai ka përfunduar edhe vetë në pranga ashtu si katër shokë të tij. Policia i arrestoi ata gjatë operacionit të koduar “Mesnata” i cili ka vënë në pranga katër bashkëpunëtorët e Valter Vladit, dhe dokumentoi disa vjedhjeve të tjera që ata kishin realizuar në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Policia e kryeqytetit nëpërmjet një deklarate për shtyp, tha dy dite më parë se ka vënë në pranga 5 të rinj, banorë të Kamzës dhe rrethinave të saj, të cilët dyshohet të jenë autorë të 11 vjedhjeve të kryera në ditët e para të këtij viti. Policia tha se bashkëpunëtori i gjashtë i të arrestuarve është identifikuar dhe është shpallur në kërkim. Sipas informacionit zyrtar, policia tha se kanë rënë në pranga 38-vjeçari Arjan Fejzullari, 19-vjeçari Valter Vladi, i dënuar gjashtë herë më parë për vjedhje, 28-vjeçari Simon Thanasi, i dënuar në Greqi për shitje të lëndëve narkotike, Ilir Shehi, 32 vjeç, i dënuar dy herë për vjedhje e Ilir Zenko, 44 vjeç, i dënuar më parë për plagosje. e.d